Osmani për personat me aftësi të kufizuara: Kemi dështuar si shoqëri përballë këtij komuniteti

03.12.2020

Kryetarja e Kuvendit, njëherit edhe ushtruesja e detyrës së presidentës, Vjosa Osmani, në seancën e veçantë të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për personat me aftësi të kufizuar ka thënë se shteti i Kosovës ka bërë fare pak që këtyre personave tu sigurojmë një jetë të dinjitetshme. Osmani ka thënë se sfidat me të […]

Osmani për personat me aftësi të kufizuara: Kemi dështuar si shoqëri përballë këtij komuniteti Foto: Ilustrim

Kryetarja e Kuvendit, njëherit edhe ushtruesja e detyrës së presidentës, Vjosa Osmani, në seancën e veçantë të Kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për personat me aftësi të kufizuar ka thënë se shteti i Kosovës ka bërë fare pak që këtyre personave tu sigurojmë një jetë të dinjitetshme.

Osmani ka thënë se sfidat me të cilat ballafaqohen këta persona, janë reflektim i dëshmimit tonë si shoqëri për t’iu ofruar atyre të drejta të barabarta.

“Kjo është një ditë për të reflektuar në atë se sa punë kemi bërë ne si Kuvend dhe sa i ka zbatuar ekzekutivi ato që i kemi votuar ne. Kemi bërë fare pak për tu garantuar një jetë të dinjitetshme këtij komuniteti në vendin tonë”, tha Osmani.

Në fjalën e saj Osmani tha se është fatkeqësi që ende nuk kemi të dhëna të sakta se sa persona me aftësi të kufizuara jetojnë në Kosovë.

“Kosova ende nuk e ka marrë mundin që të identifikoj numrin e këtyre personave. Pa statistika nuk mund të ketë politika të mirëfillta. Është e pafalshme që përafërsisht vetëm 10% e fëmijëve me aftësi të kufizuara vijojnë mësimin në shkollat publike e diku 90% kanë mbetur jashtë shkollave”, tha Osmani.

Ajo shtoi se atyre po ua mohojmë të drejtën për arsim, punësim e jetë të dinjitetshme.

“Ne dhe vetëm ne po ua mohojmë atyre mundësinë për punësim, arsim. Është e pafalshme që ata edhe pse vijojnë mësim në shkolla vazhdojnë të jenë të kufizuar në hapësira për shkak të mungesës së ndonjë lifti apo pjerrtësinë që ata të mund të lëvizin brenda hapësirave shkollore” shtoi ajo.