Derisa ka krahasuar çështjen e vendimit të BQK-së me çështjen e targave, ajo ka thënë se këto dy ditë do të ketë një dakordim dhe do të dalin më një deklaratë publike.

“Unë jam që zbatimi të jetë i plotë e jo vetëm në letër e të gjithë e dinë që të ketë zbatim të plotë duhet përkrahja e aleatëve. Diskutimi ende është duke vazhduar dhe jam e bindur që do të gjejë një zgjidhje e që do të mundësojë që Kushtetuta jonë të zbatohet”, ka thënë Osmani para mediave derisa bëro homazhe në përkujtim të komandantit Zahir Pajaziti

Ajo ka theksuar se për këtë janë duke u diskutuar një sërë opsionesh. Osmani ka thënë se aleatët nuk janë kundër Kushtetutës së Kosovës.

Osmani ka thënë se është për keqardhje që ky vendim nuk është zbatuar deri më tani. Sipas saj BQK-ja e ka kryer punën e saj.

Ndryshe, Bordi i Bankës Qendrore të Kosovës ditë më parë ka miratuar rregulloren e re për Operacionet me Paratë e Gatshme, e cila do të hyjë në fuqi që nga 1 shkurti.

Sipas kësaj rregulloreje, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë, është Euro.

“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”, thuhet në rregullore.

Ndërkaq, sa i përket valutave tjera, BQK ka vendosur që të përdoren “vetëm si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogarite bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.

Duke e përmendur Euron si valutë të vetme, Kosova me gjasë përjashton edhe dinarin si valutë për kryerjen e pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave që përdoret në mjediset serbe pandërprerë edhe pse nga viti 2002 Kosova ka adoptuar euron si valutë të saj.

Kundër vendimit ka dalë shtetet e Bashkimit Evropian dhe Departamenti amerikan i Shtetit.