Osmani në takim me Bonon: Kosova dhe SHBA, partneritet i fortë përballë sfidave rajonale

para 41 dite

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një takim të rëndësishëm në Washington me Ndihmës Sekretarin Amerikan të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Louis Bono, ka theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Osmani në takim me Bonon: Kosova dhe SHBA, partneritet i fortë përballë sfidave rajonale

Takimi, i zhvilluar në Departamentin e Shtetit, u fokusua në forcimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si mbrojtja dhe ekonomia, si dhe në sfidat e sigurisë rajonale.

Presidentja Osmani ka shprehur shqetësimin e saj për kërcënimet e vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe aktorë të tjerë keqdashës në rajon. Ajo ka theksuar nevojën për një qëndrim të fuqishëm parandalues për të ruajtur stabilitetin dhe paqen, duke nënvizuar domosdoshmërinë e bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara.

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte integrimi i Kosovës në NATO. Presidentja Osmani ka theksuar se anëtarësimi në Aleancën Veri-Atlantike jo vetëm që do të fuqizonte sigurinë e Kosovës dhe të rajonit, por është gjithashtu në përputhje me objektivat strategjike amerikane për paqen dhe sigurinë globale. Ajo ka konfirmuar se Kosova ka rritur buxhetin për mbrojtje në 2% të Bruto Produktit Vendor dhe po punon për të rritur më tej këtë buxhet, me qëllim përmbushjen e objektivit të anëtarësimit në NATO.

Presidentja Osmani ka shprehur gatishmërinë e Kosovës për angazhim aktiv në Dialogun Strategjik, i cili iu ofrua Kosovës në fillim të këtij viti. Kjo platformë do të shërbejë për të adresuar sfidat dhe prioritetet e përbashkëta në fusha të ndryshme, duke përfshirë sigurinë, ekonominë dhe zhvillimin.

Takimi mes Presidentes Osmani dhe Ndihmës Sekretarit Bono ka riafirmuar partneritetin e palëkundur ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Të dy palët kanë shprehur angazhimin e tyre për të vazhduar bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha fushat, me qëllim të arritur të stabilitetit, sigurisë dhe përparimit ekonomik të Kosovës dhe të rajonit.

Louis Bono, i emëruar nga Administrata e Presidentit Trump si ushtrues detyre në këtë pozitë që nga 20 janari 2025, ka theksuar rëndësinë e rolit të Kosovës si partner i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Ai ka shprehur mbështetjen e tij për përpjekjet e Kosovës për integrim euroatlantik dhe ka premtuar se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë pranë Kosovës në rrugën e saj drejt zhvillimit dhe prosperitetit.

Etiketat

Ofertat e fundit