Osmani dhe Begaj bëjnë homazhe për Papa Françeskun në Vatikan

para 51 dite

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, kanë bërë sot homazhe për Papa Françeskun në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan.

Osmani dhe Begaj bëjnë homazhe për Papa Françeskun në Vatikan

Përmes një postimi në Facebook, Presidentja Osmani shprehu respektin e qytetarëve të Kosovës për Papa Françeskun, duke theksuar përkushtimin e tij për paqe, harmoni dhe dinjitet njerëzor në mbarë botën. “Sot, në bazilikën ‘Shën Pjetri’ në Vatikan, së bashku me Presidentin Begaj, kardinalin e vetëm shqiptar, Ernest Simonin dhe delegacionet tona, bëmë homazhe për Shenjtërinë e Tij, Papë Françeskun, për të shprehur respektin e qytetarëve tanë ndaj përkushtimit të tij frymëzues për paqe, harmoni dhe dinjitet njerëzor në mbarë botën”, shkroi Osmani.

Papa Françesku ndërroi jetë më 21 prill 2025, në moshën 88-vjeçare, pas një goditjeje në tru dhe dështimi të pakthyeshëm të zemrës, sipas njoftimit zyrtar të Vatikanit.

Ceremonia mortore e tij do të mbahet të shtunën, më 26 prill 2025, në orën 10:00 të mëngjesit në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, e udhëhequr nga kardinali Giovanni Battista Re, dekani i Kolegjit të Kardinalëve. Sipas dëshirës së tij, Papa Françesku do të varroset në Bazilikën e Santa Maria Maggiore, dhe jo në kriptat tradicionale të Vatikanit.

Pas funeralit, do të nisë periudha e zisë nëntëditore e njohur si “novemdiales”, gjatë së cilës do të mbahen mesha për nder të tij. Konklava për zgjedhjen e Papës së ri pritet të fillojë më 5 maj.

Etiketat

Ofertat e fundit