Takimi u organizua nga Divizioni i Trafikut Rrugor, në bashkëpunim me Njësinë për Kontroll të Autostradave, Njësitë Rajonale të Trafikut Rrugor të Prishtinës, përfaqësues të Departamentit të Rrugëve në MMPHI, menaxherë rajonalë të ministrisë, si dhe operatorët ekonomik të kontraktuar për mirëmbajtjen dimërore të autostradave për sezonin 2025/2026.

Qëllimi kryesor i këtij takimi ishte forcimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe koordinimi i mekanizmave përgjegjës për të garantuar qarkullim të sigurt, të rregullt dhe të pandërprerë në autostrada gjatë gjithë periudhës dimërore.
Çfarë u diskutua në takim?
Përfaqësuesit e institucioneve dhe kompanive të përfshira trajtuan disa tema kyçe, përfshirë:
- Planifikimin dhe gatishmërinë e ekipeve për mirëmbajtjen dimërore të autostradave;
- Menaxhimin e trafikut në kushte të vështira atmosferike;
- Vendosjen dhe mirëmbajtjen e sinjalizimit horizontal dhe vertikal;
- Riparimin dhe zëvendësimin e barrierave elastike të dëmtuara;
- Koordinimin për informimin e qytetarëve dhe reagimin në rastet emergjente;
- Obligimet kontraktuale të operatorëve ekonomik dhe standardet që duhet të respektohen gjatë sezonit dimëror.
Institucionet riafirmuan angazhimin e tyre të përbashkët për të mbajtur autostradat të kalueshme në çdo kohë, duke vënë theks të posaçëm te reagimi i shpejtë dhe efikas gjatë reshjeve të borës, akullit dhe kushteve të tjera të pafavorshme atmosferike.
Fillon zyrtarisht sezoni dimëror – Shoferët të përgatiten

Nga nesër, 15 nëntor, sipas legjislacionit në fuqi, nis zyrtarisht sezoni dimëror që zgjat deri më 15 mars. Me këtë rast, institucionet kërkojnë nga të gjithë drejtuesit e automjeteve që:

- të jenë të pajisur me pajisje dimërore;
- të respektojnë shenjat e trafikut dhe udhëzimet e policisë;
- të tregojnë kujdes të shtuar gjatë vozitjes.
Po ashtu, kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e autostradave janë të obliguara të jenë në gjendje të plotë gatishmërie, me ekipet dhe makinerinë e nevojshme të gatshme për intervenim të menjëhershëm.
Ky takim shënon fillimin e një sezoni ku bashkëpunimi mes institucioneve dhe qytetarëve mbetet vendimtar për siguri të përgjithshme në rrugët e vendit.