Organizatat për dëmet e luftës, të pakënaqura me punën e institucioneve

Dita Ndërkombëtare e të Pagjeturve edhe sot do të përcillet me protesta nga shoqata e familjarë të të zhdukurve në luftën e fundit në Kosovë, të cilët janë të pakënaqur me punën që institucionet e vendit kanë bërë deri tani..

Të pakënaqura me punën e institucioneve të vendit në lidhje me zbardhjen e fatit të të pagjeturve janë shprehur organizatat, të cilat merren me dëmet e luftës.

Jahir Bejta, kryetar i organizatës për dëmet e luftës “Ngritja e Zërit”, ka thënë për “Zërin” se institucionet e drejtësisë kanë dështuar në zbardhjen e fatit të mbi një mijë personave që figurojnë si të zhdukur.

Ai ka theksuar se në Kosovë janë shkelur ligjet dhe konventat ndërkombëtare, të cilat rregullojnë çështjet e të zhdukurve. “Po të kishin kryer institucionet detyrat e tyre aq sa i kanë pasur brenda mandateve ne nuk do të kishim pasur nevojë për të organizuar protesta. Është Dita Ndërkombëtare e të Zhdukurve. Në vitin 2016 është nxjerrë Ligji Humanitar Ndërkombëtar për Kosovën, që i obligon institucionet tona të zbatojnë konventat, por ata nuk i zbatojnë. Ministrat e drejtësisë asnjëherë nuk i kanë përfillur kërkesat tona”, ka thënë ai.

Përveç kërkesave të vazhdueshme drejt institucioneve të vendit, Bejta ka thënë se në mënyrë deklarative kanë ngritur edhe padi ndaj shtetit serb për gjenocid.

RAPORTO