Organizatat e dala nga lufta kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara: Është fyerje dhe përpjekje për t’iu shmangur llogaridhënies

para 41 dite

Organizatat e dala nga lufta kanë reaguar ashpër ndaj vizitës së paralajmëruar në Kosovë të kryetares së Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova.

Organizatat e dala nga lufta kundër vizitës së kryetares së Dhomave të Specializuara: Është fyerje dhe përpjekje për t’iu shmangur llogaridhënies

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Shoqata e Invalidëve të Luftës së UÇK-së (SHIL-UÇK) dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së (SHFD-UÇK) e kanë cilësuar vizitën e saj si të papranueshme dhe një fyerje të rëndë për ata që sakrifikuan për lirinë e Kosovës.

Në një reagim të përbashkët, këto organizata theksojnë se vizita e paralajmëruar, e mbajtur sipas tyre në fshehtësi, pa praninë e qytetarëve dhe kamerave, nuk ka lidhje me drejtësinë apo transparencën. Përkundrazi, ato e shohin atë si një përpjekje për t’iu shmangur llogaridhënies dhe për të vazhduar një agjendë të njëanshme politike.

“E paralajmëruar të mbahet nën një perde të trashë të fshehtësisë, pa praninë e qytetarëve dhe kamerave, kjo vizitë nuk ka asgjë të përbashkët me drejtësinë apo transparencën, përkundrazi, është përpjekje për të ikur nga llogaridhënia dhe për të vazhduar një agjendë të njëanshme politike”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së, të cilës i janë bashkuar edhe SHIL dhe SHFD.

Sipas organizatave, kjo qasje arrogante dhe fyese është vazhdim i padrejtësisë që po u bëhet krerëve të UÇK-së në Hagë. Ato kritikojnë faktin që e njëjta gjykatë heshti për krimet serbe ndaj civilëve shqiptarë, ndërsa tani vjen në Kosovë si “autoritet drejtësie” pa guximin për t’u përballur me opinionin publik. Këtë e konsiderojnë si hipokrizi.

OVL-UÇK, SHIL-UÇK dhe SHFD-UÇK ritheksojnë kundërshtimin e tyre të plotë ndaj kësaj vizite dhe u bëjnë thirrje institucioneve të Kosovës që të mos bëhen pjesë e kësaj “fasade”. Ato ftojnë qytetarët, shoqatat e dala nga lufta dhe mediat e pavarura të qëndrojnë në krah të së vërtetës dhe sakrificës së përbashkët, duke theksuar se historia dhe e vërteta nuk mund të fshihen me dyer të mbyllura.

Etiketat

Ofertat e fundit