Opozita e ndarë përballë pushtetit – PDK, LDK e AAK e akuzojnë njëra-tjetrën

28.11.2023

AAK-ja e akuzon PDK-në dhe LDK-në. PDK-ja e akuzon LDK-në dhe AAK-në. LDK-ja i mbron qëndrimet e saj dhe konfirmon dallimet me partitë tjera opozitare: “Sjemi trup i përbashkët”. Opozita është e ndarë. Të tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë qëndrime të ndryshme nga njëra-tjetra se si duhet kundërshtuar Qeveria e udhëhequr prej […]

Opozita e ndarë përballë pushtetit – PDK, LDK e AAK e akuzojnë njëra-tjetrën Foto: Ilustrim

AAK-ja e akuzon PDK-në dhe LDK-në. PDK-ja e akuzon LDK-në dhe AAK-në. LDK-ja i mbron qëndrimet e saj dhe konfirmon dallimet me partitë tjera opozitare: “Sjemi trup i përbashkët”.

Opozita është e ndarë. Të tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë qëndrime të ndryshme nga njëra-tjetra se si duhet kundërshtuar Qeveria e udhëhequr prej Albin Kurtit.

Megjithëse kritikat për pushtetin i kanë përgjithësisht të njëjta, PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja nuk duken shumë të koordinuara me njëra-tjetrën në veprime.

Në fund të majit AAK-ja inicoi një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Kurti, pasi kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj tha se kryeministri Albin Kurti ishte përgjegjës për situatën e rëndë në veri të vendit dhe se qeverisja e tij po paraqiste rrezik për vendin.

AAK-ja mbeti e vetme në këtë iniciativë dhe procedimi i mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë u bë i pamundur.

“Çka është duke ndodhur tek opozita? Ku e keni problemin kolegë opozitarë, PDK dhe LDK, që po mendoni ende se kush përfiton? Vetëm një përfitues është, Kosova dhe interesi ynë. Unë nuk shoh më detyra të zakonshme për vete në këtë parlament derisa nuk deklaroheni si iu ka hije. Pse nuk e keni guximin?”, pati thënë Haradinaj në një seancë të Kuvendit më 22 qershor.

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, pati thënë se kjo po bëhej për protagonizëm. “Tendenca për ta luajtur rolin e një protagonisti, pa e pasur mundësinë për ta bërë një gjë të tillë, unë mendoj që nuk u ndihmon as atyre partive, në këtë rast as AAK-së e aq më pak zhvillimeve politike në vend”, deklaronte Krasniqi.

Haradinaj thoshte se shkarkimi i Qeverisë ishte “është urgjente” dhe “interes kombëtar”, pasi “Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye”. Duke kërkuar edhe më tej mbështetjen e të tjerëve për shkarkimin e Kurtit, ish-kryeministri shkruante në Facebook se “hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi”.

Por më vonë, AAK-ja ishte më e butë ndaj Qeverisë. Kur PDK-ja dhe LDK-ja kërkonin llogari nga Qeveria për pranimin e propozimit të ndërkombëtarëve për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Haradinaj thoshte se e kishte lexuar draft-statutin dhe se ai nuk dilte jashtë Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

LDK-ja, që në njëfarë mënyre ishte ndarë nga pjesa tjetër e opozitës që në fillim të kësaj legjislature duke e mbështetur zgjedhjen e Vjosa Osmanit presidente, thotë se do ta ndjekë “rrugën institucionale”.

PDK-ja është shprehur e bindur se Osmani e shkeli Kushtetutën duke vendosur të mos e dekretojë Blerim Isufajn për kryeprokuror të shtetit në tetor. Por partitë opozitare nuk u morën vesh për t’i mbledhur 30 nënshkrime për ta adresuar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese. Afati për dërgimin e vendimit të Osmanit në Kushtetuese skadoi dhe PDK e fajësoi LDK-në se nuk i ka ofruar nënshkrimet e deputetëve të saj për këtë çështje.

Avokati i Grupit Parlamentar të PDK-së, Faton Fetahu tha para një jave se kishte pasur premtim publik për këtë, por që më pas LDK-ja ishte tërhequr “në mënyrë të pashpjegueshme” dhe se 25 nënshkrimet e mbledhura nuk mjaftuan.

“Fatkeqësisht, në mungesë të vullnetit, dështoi sigurimi i tridhjetë nënshkrimeve të nevojshme për të ngritur çështjen nëse Presidentja e Republikës së Kosovës ka kryer shkelje serioze të Kushtetutës… Nuk më takon mua të jap vlerësime politike se pse një grup parlamentar edhe pas premtimit publik për dhënien e nënshkrimeve, u tërhoq në mënyrë të pashpjegueshme”, tha ai.

Ndërkohë, partia e Lumir Abdixhikut ka vazhduar t’i votojë marrëveshjet ndërkombëtare, pavarësisht PDK-së dhe AAK-së që kishin vendosur ndryshe.

Partia e Haradinajt të enjtën iu bashkua konstruktivitetit të LDK-së për t’i votuar disa prej marrëveshjeve ndërkombëtare që prej muajsh kishin mbetur pa kaluar në Kuvend. Kjo ishte një përgjigje pozitive ndaj ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili kishte shprehur shqetësimin për “mosmiratimin e vazhdueshëm të marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvend që mund të sjellin miliona përfitime për qytetarët e Kosovës”.

Një reagim goxha i ashpër erdhi nga PDK-ja, e cila e vazhdoi rezistencën. Anëtari i kësaj partie, Betim Gjoshi shkroi në Facebook se LDK-ja dhe AAK-ja iu nënshtruan diktatit të Kurtit.

“Pas LDK-së, sot edhe AAK u dorëzua në “gjirin e ngrohtë” të Albin Kurtit, duke iu nënshtruar diktatit të tij e duke e ndryshuar qëndrimin për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare. Lehtësisht u avulluan deklaratat për paaftesinë e dëmet e Qeverisë, për mashtrimet dhe rrezikimin e të ardhmes së Kosovës. U harruan edhe sanksionet që Qeveria Kurti ia solli vendit e që për shkak të tyre ende janë të pezulluara afër 300 milionë euro fonde për Kosovën”, shkroi ai.

Sipas Gjoshit, “këto sallto politike zakonisht kanë një prapavijë”.

“Cila është ajo që e solli këtë ligështim të sotshëm të një pjese të “opozitës”, ndoshta e marrim vesh së shpejti”, shkroi ai.

Lumir Abdixhiku ka thënë në një intervistë më 17 tetor se është gabim mosvotimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

“Termin opozitë, unë kategorikisht e kundërshtoj si terminologji politike, përveç që është funksion në parlament, por si trup i përbashkët nuk është. Është e qartë në diskursin politik në Kosovë ku opozita portretizohet si një, e nuk jemi një për besë. Kjo është shumë me rëndësi ta kuptojmë të gjithë. Ne jemi parti të ndara dhe në shumë hapa, kemi bindje krejtësisht të ndryshme”, ka thënë ai.

Abdixhiku ka thënë se pushtetit i konvenon që opozitën ta portretizojë si një dhe se LDK-ja dallon substancialisht nga partitë tjera opozitare.

40-vjeçari i cili më 19 nëntor u rizgjodh kryetar i LDK-së edhe për një mandat katërvjeçar, tha se në opozitë LDK-ja do ta ndjekë rrugën “e përgjegjshme për interesat shtetare të Republikës”. Ai tha në Kuvendin Zgjedhor të partisë më të vjetër në vend se komunikimi i LDK-së sot “është një model i vërtetë politik në Kosovë dhe jo vetëm”.

“Si pjesë e opozitëbërjes parlamentare, LDK-ja në Kuvendin e Republikës ka ndjekur rrugën institucionale, të përgjegjshme për interesat shtetare të Republikës dhe në mbrojtje të demokracisë dhe lirisë së mendimit. Grupi ynë parlamentar, përkundër kërkesave jo të pakta publike, nuk ka replikuar opozitëbërjen destruktive e polarizuese për standard veprimi në këtë vend. Përkundrazi, duke ruajtur e duke kultivuar me plot përkushtim sjelljen tonë politike, grupi ynë ka arritur të shndërrohet në zë udhëheqës opozitar në vend. Kam thënë çdoherë: ne nuk bëhemi si ta sepse s’jemi si ta.Ne thjesht jemi Lidhja Demokratike e Kosovës”, është shprehur Abdixhiku.

Ai vlerëson se grupi parlamentar i LDK-së ka arritur sukses në ndaljen e “tendencave kapëse të pushtetit”, duke dëshmuar “paaftësinë e Qeverisë”.