Omicron në Kosovë, Raka: Virusi po lokalizohet kryesisht në rrugët e sipërme të frymëmarrjes, vaksinohuni
Ekspertët shëndetësorë vazhdimisht po bëjnë thirrje qytetarëve për vaksinim kundër COVID-19 si dhe respektim të masave të vendosura nga institucionet shëndetësore e shtetërore, pasi që sipas tyre këto janë “armët” më të forta për “luftimin” e kësaj pandemie. Mikrobiologu Lul Raka përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se vaksinimi anti-COVID […]
Ekspertët shëndetësorë vazhdimisht po bëjnë thirrje qytetarëve për vaksinim kundër COVID-19 si dhe respektim të masave të vendosura nga institucionet shëndetësore e shtetërore, pasi që sipas tyre këto janë “armët” më të forta për “luftimin” e kësaj pandemie.
Mikrobiologu Lul Raka përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se vaksinimi anti-COVID ka qenë dhe mbetet një komponent kyç për të ulur ndikimin e variantit Omicron në vend.
Mikrobiologu Raka ka theksuar se infeksionet me variantin Omicron kanë pasqyrë më të lehtë klinike, kjo pasi që virusi lokalizohet kryesisht në rrugët e sipërme të frymëmarrjes si dhe inkubacioni mesatar është shkurtuar në 3 ditë.
Ai ka shtuar se në raportin e fundit të ECDC (European Centet for Disease Control), që përfshinë periudhën kohore 10-23 Janar 2022, Kosova ka incidencë prej 1,157 rasteve në 100.000 banorë.
Lexoni të plotë postimin e tij:
Varianti Omicron ka shënuar rritje masive në Kosovë dhe botë. Ky variant mund të shmangë pjesërisht veprimin mbrojtës të antitrupave të krijuar nga vaksinimi ose nga infeksioni natyror duke rezultuar në përhapje masive të rasteve me COVID-19 në komunitet.
Në raportin e fundit të ECDC (European Center for Disease Control), që përfshin periudhën kohore 10-23 Janar 2022, Kosova ka incidencë prej 1157 rasteve në 100.000 banorë. Nga shtetet e rajonit, Shqipëria ka 997 raste, Maqedonia 1099, Serbia 2805 e Mali i Zi 3798.
Në Evropë prijnë Danimarka me 7554 raste në 100.000 banorë, Franca 6661, Portugalia 5773, Sllovenia 5661, Zvicrra 4783, etj. Incidencën më të ulët e kanë Azerbejxhani dhe Bellorusia me 120, respektivisht 210 raste në 100.000 banorë.
Shkalla aktuale mesatare e rasteve në BE është 2.621 raste për 100 000 banorë. Prej tyre janë shtrirë në spital 1.14% , për kujdes intensiv kanë pasur nevojë 0.16% dhe kanë vdekur 0.06% e pacientëve. Në disa raste pacientët e shtrirë në spitale janë diagnostikuar rastësisht me Covid-19; d.m.th. janë pranuar për shkaqe të tjera në spital.
Gjatë kësaj periudhe shkallën më të ulët të vdekjeve në 1 milionë banorë e kanë Kosova (5.01) dhe Gjermania (5.13). Shtetet e rajonit kanë këtë shkallë vdekshmërie në 1 milionë banorë: Shqipëria 23, Serbia 52, Maqedonia 89, Mali i Zi 132 dhe Bosnja 146. Në Evropë, prinë Bullgaria me 161 vdekje/1 milion banorë.
Infeksionet me Omicron kanë pasqyrë më të lehtë klinike, pasi që virusi lokalizohet kryesisht në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Inkubacioni mesatar është shkurtuar në 3 ditë.
Shkalla e shtrimit në spital dhe vdekshmëria janë më të ulëta sesa në valët e mëparshme pandemike. Një rol të rëndësishëm këtu ka luajtur edhe vaksinimi.
Por, përhapja masive në komunitet ka shkaktuar mbingarkesë të konsiderueshme në sistemin shëndetësor dhe në kategoritë e tjera esenciale të shoqërisë për shkak të mungesave masive në punë dhe mësim.
MASAT KUFIZUESE
Masat kufizuese varen nga faktorët shëndetësorë (numri i rasteve, spitalizimet, vdekjet, shkalla e vaksinimit), ekonomia, kapaciteti i shtetit për subvencione, shëndeti mental dhe të drejtat e njeriut.
Balancimi i gjithë këtyre faktorëve është i vështirë dhe nuk është i njëjtë askund. Vendimet duhet të merren duke u bazuar në të dhënat epidemiologjike në kohë reale.
Masat kufizuese në Evropë- https://covid-statistics.jrc.ec.europa.eu/RMeasures
(Rumania dhe Austria kanë pasur orë policore për të pavaksinuarit).
ÇKA DUHET TË BËJMË?
VAKSINOHUNI!
Personat e pavaksinuar ose pjesërisht të vaksinuar kanë rrezik më të lartë për sëmundje të rëndë dhe spitalizim. Prandaj, vaksinimi mbetet një komponent kyç për të ulur ndikimin e Omicronit.
ZBATONI MASAT PARANDALUESE- mos humbni kohë duke e kërkuar fajtorin kujdestar për gjendjen e sotme, sepse atë mund ta gjesh kudo, duke filluar prej vetes tënde e deri te Paria e vendit.
Fuqizoni INSPEKTIMET e zbatimit të masave parandaluese dhe vendimeve në terren bashkë me KOMUNAT!
Stimuloni të vaksinuarit kudo dhe kurdo!
Stop politizimit të COVID-it!.