Oda Ekonomike Amerikane mirëpret vendimin e Qeverisë për heqjen e tarifave ndaj produkteve amerikane
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka përshëndetur vendimin e fundit të Qeverisë së Kosovës për të hequr tarifat doganore për të gjitha mallrat e importuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një reagim zyrtar, OAK vlerëson se ky hap përfaqëson një demonstrim të fortë dhe strategjik për të avancuar bashkëpunimin ekonomik me SHBA-në, të cilën e cilëson si partnerin më të ngushtë politik dhe ekonomik të Republikës së Kosovës.
“Vendimi është edhe përgjigje në thirrjen e Odës Ekonomike Amerikane të para disa muajve, e cila rekomandonte një vendim të njëanshëm preferencial tregtar, për të nxitur tregtinë dypalëshe si dhe për ta pozicionuar Kosovën në mënyrë të favorshme për një Marrëveshje të ardhshme të Tregtisë së Lirë me Shtetet e Bashkuara”, thuhet në njoftim.
OAK thekson se heqja e tarifave doganore për mallrat amerikane jo vetëm që forcon atraktivitetin e Kosovës si partner i hapur dhe i besueshëm për bizneset amerikane, por edhe krijon mundësi të reja për konsumatorët dhe kompanitë vendase për të pasur qasje më të madhe në produkte cilësore me çmime konkurruese.
Sipas Odës, kjo masë gjithashtu hap rrugën për rritje të flukseve tregtare, shkëmbim teknologjik dhe investime në sektorë kyç që do të përfitojnë ekonomitë e të dy vendeve.
“Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përgëzon Qeverinë e Kosovës për marrjen e këtij vendimi duke shprehur gatishmërinë për promovimin e mundësive të shkëmbimit më të madh tregtar në të ardhmen. Ne mbetemi të përkushtuar për të promovuar politika që rrisin qasjen në treg, forcojnë lidhjet ekonomike dhe ofrojnë përfitime afatgjata për bizneset dhe konsumatorët si në Kosovë ashtu edhe ata në Shtetet e Bashkuara”, përfundon reagimi.