OBSH: Kosova po përballet me një valë të re të COVID-19

27.03.2021

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK) çdo ditë raporton për rastet pozitive me COVID-19, ku vihet re një rritje e rasteve duke krahasuar me muajin që lamë pas. Sipas raporteve ditore del të jetë se vetëm për gjashtë ditë u regjistruan 70 raste të vdekjeve dhe 4882 të infektuar. Në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në […]

OBSH: Kosova po përballet me një valë të re të COVID-19 Foto: Ilustrim

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike (IKShPK) çdo ditë raporton për rastet pozitive me COVID-19, ku vihet re një rritje e rasteve duke krahasuar me muajin që lamë pas.

Sipas raporteve ditore del të jetë se vetëm për gjashtë ditë u regjistruan 70 raste të vdekjeve dhe 4882 të infektuar.

Në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Kosovë thonë se vendi ynë po ballafaqohet me një fazë të re të Covid-19.

Kjo rritje e vdekshmërisë dhe infektimeve është shqetësuese për infektologun Hamdi Ramadani.

“Kjo rritje e trendit të sëmurëve si në aspektin e sëmundjes, ashtu edhe numri i rasteve po tregon që gjendjen e kemi të keqe, gjendjen e kemi të rëndë dhe kapacitetet spitalore për mjekimin e rasteve me indikacione mjekësore për trajtim, veç bazuar në të dhënat e ditëve të fundit, është në buzën e limitit. Klinika Infektive nga dje nuk e ka asnjë shtrat të lirë për t’i pranuar rastet e nevojshme”, tha Ramadani për RTV21.

Po ashtu edhe Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtëve të Pacientëve ka shprehur shqetësimin e saj për rritjen e rasteve të infektimeve me COVID-19 në Kosovë.

Në zyrën e OBSH në Kosovë tregojnë arsyet e kësaj situate me pandeminë COVID-19.

“Rritja e numrit të rasteve është kryekëput lëvizje natyrale e sëmundjes e cila ka ngritjet dhe ramjet e veta. Edhe shtetet e rajonit edhe Kosova është duke kaluar në fazën e tretë dhe të katërt të sëmundjes”, tha Isma Humolli.

Marrë parasysh gjendjen e tanishme me COVID-19 infektologu Hamdi Ramadani propozon shtrëngimin e masave.