Numri i të vdekurve në vendin e punës është duke u rritur

  • 08.04.2019, 9:35

Sindikalistët që mbrojnë të drejtat e punëtorëve, pohojnë se gjendja e tyre çdo ditë është duke u përkeqësuar.

Sipas drejtuesit të Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, numri i të vdekurve në vendin e punës është duke u rritur, transmeton Telegrafi.

“Gjendja e punëtorëve në sektorin privat për çdo ditë është duke u përkeqësuar, sepse të gjitha rastet janë në përshkallëzim negativ dhe ne nuk po shohim një dritë në fund të tunelit, duke u nisur nga paga minimale ku për vite të tëra nuk po ndryshon, duke u nisur që numri i punëtorëve me kontrata është në rënie, duke u nisur nga ajo se numri i të vdekurve në vendin e punës është duke u rritur dhe duke u nisur nga ajo që edhe njerëzim më pesimist po e shohin se shteti nuk po ndihmon. Prinë sektori i ndërtimtarisë, është një e katërta që kanë humbur jetën në vendet e punës, por nuk duhet anashkaluar edhe sektorët tjerë”, tha për Telegrafin, Azemi.

Ai shton se aktualisht nuk ka trajtim të dinjitetshëm të punëtorëve, sipas tij, organet shtetërore janë orientuar nga sektori publik.

“Ne sindikatë në një periudhë dy mujore kemi organizuar mjaftë greva dhe si sindikatë po bëjmë atë që nuk mundemi më tepër, po bëjmë të pamundurën. Fatkeqësisht për momentin nuk shoh një trajtim të dinjitetshëm të punëtorëve, organet shtetërore janë orientuar nga sektori publik, le të themi nga punësimi i njerëzve të vet”, shtoi kryesindikalisti që mbron të drejtat e punëtorëve në sektorin privat.

Në vitin 2018 kemi pasur të lajmëruara dhe të trajtuara 143 raste të aksidenteve në vend të punës. Për pasojë të këtyre aksidenteve, 120 raste kanë përfunduar me lëndime të punëtorëve në punë dhe 23 raste të vdekjeve në punë. Nga ky numër, sipas Inspektoratit të Punës, 12 ishin punëtorë të ndërtimtarisë.

Në vitin 2019 deri më tani kanë ndodhur 16 raste të aksidenteve në vend të punës. 13 aksidente kanë përfunduar me lëndime dhe tre raste me vdekjen e punëtorëve në vend të punës.

Të tjera