Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda, i ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej 1 muaji një të dyshuari për krime lufte në Kosovë.

Themelorja e Prizrenit thotë se për të pandehurin Remzi Shala nga fshati Shirokë, Komuna e Suharekës, ka dyshime të bazuara se ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”.

Masa e paraburgimit do t’i llogaritet prej datës së arrestimit 24.05.2019 e cila do të zgjasë deri me datën 23.06.2019.

Remzi Shala i njohur gjatë luftës si Komandant “Molla e Kuqe” gjatë dhjetorit të vitit 2018 kishte pranuar një ftesë nga Gjykata Speciale për paraqitjen në këtë Gjykatë.

Këtë e kishte konfirmuar ekskluzivisht  vetë Shala, i cili kishte thënë se ka marrë thirrje dhe urdhër që të paraqitet në Hagë më 17 janar të vitit 2019. Shala publikisht kishte deklaruar që nuk do ti përgjigjej ftesës së Gjykatës Speciale.

“Unë Komandant (Molla e Kuqe) i togut te njesis speciale te shtabit te pergjithshem te UÇK-së kam pranuar ftesë nga gjykata speciale per tu dorezuar ne hag, deklaroj para gjithe popullit se nuk do te dorzohem dhe nuk do ti pergjigjem kesaj ftese” kishte njoftuar Remzi Shala.

Me të marrë ftesën nga specialja Shala ishte arratisur në po të njëjtën ditë.

Në shkurt të këtij viti Gjykata Themelore në Prizren ka lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për Shalën pasiqë ai kishte munguar në seancën e 9 janarit në Gjykatën Themelore Prizren në gjykimin rreth vrasjes së Haxhi Perteshit në vitin 1998.

Mungesa e tij e shtyri trupin gjykues që lëshojë urdhër që Shala të sillet me Polici në gjykatë.

Pasi që fillimisht gjyqtarja kishte lëshuar urdhëresë, për Policinë e Kosovës, që për Remzi Shalën të kërkojnë informacione shtesë për vendndodhjen e tij, Policia nuk kishte arritur ta gjente e as të siguronte informacione shtesë për vendndodhjen e tij.

Remzi Shal është arrestuar sot rreth orës 08:00 në shtëpinë e tij në Shirokë.

Arrestimin e Remzi Shalës e ka konfirmuar edhe avokati i tij, Natal Bullakaj, i cili tha se ishte njoftuar nga Gjykata për arrestimin e Remzi Shalës. Bullakaj për portalin SuharekaOnline ka konfirmuar se Remzi Shala është arrestuar.