Niveli i pagës minimale, GJK: S’na takon të vlerësojmë politikat publike të Qeverisë
Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, bashkë me një grup tjetër deputetësh kanë dërguar kohë më parë në Gjykatë Kushtetuese plotësim ndryshimet që janë bërë nga Qeveria e Kosovës rreth pagës minimale.
Gjykata s’ka gjetur asnjë kundërshti me Kushtetutën në ndryshimet që janë bërë dhe ka sqaruar se s’është kompetencë e Kushtetueses që të vlerësojë për politikat publike që përzgjidhen nga përfaqësuesit e popullit, por vetëm nëse ato bien në kundërshtim me dispozitat e Kushtetutës.
“Në kontekst të mekanizmave që përcaktojnë lartësinë e pagës minimale në Republikën e Kosovës, Aktgjykimi fillimisht sqaron që neni 57 (Paga minimale) i Ligjit të Punës, ndër tjerash, saktëson që Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik përcakton pagën minimale sipas propozimit të Këshillit Ekonomik-Social, ndërsa Ligji i kontestuar, e ndryshon dhe plotëson nenin e lartcekur, duke e mbajtur detyrimin e Qeverisë që të përcaktojë pagën minimale sipas propozimit të Këshillit Ekonomik-Social, por duke e shtuar mundësinë që vet Qeveria të përcaktojë pagën minimale në rast se mungon një propozim i tillë”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.
“Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së nenit të lartcekur, Aktgjykimi rithekson që, përtej drejtësisë sociale si vlerë e Republikës së Kosovës, çështjet që ndërlidhen me mekanizmat që përcaktojnë pagën minimale, janë të rregulluara në nivel ligji dhe akti nënligjor, përkatësisht me Udhëzimin Administrativ nr. 09/2017 për Caktimin e Pagës Minimale në Republikën e Kosovës. Për më tepër, sipas sqarimeve të dhëna, përderisa Konventa e ONP-së për Caktimin e Pagës Minimale nuk është drejtpërdrejt e zbatueshme në rendin juridik të Republikës së Kosovës, megjithatë parimet që burojnë nga e njëjta, janë të reflektuara, në parim, në Ligjin e aplikueshëm për Punën”, potencon tutje vendimi.
Gjykata në vendim shkruan se sipas standardeve të Konventës së ONP përcaktimi ipagës minimale është mekanizëm që shtetet duhet ta përdorin për të përmbushur drjetëisnë sociale dhe se qëllimi i caktimit të pagës minimale duhet të jetë mbrojtja e punëtorëve të cilët kanë paga të ulta dhe që të njejtëve t’iu ofrohet kushte për një jetë të dinjitetshme.
“Sipas standardeve të Konventës së lartcekur, përcaktimi i pagës minimale është një nga mekanizmat që shtetet duhet ta përdorin për të përmbushur drejtësinë sociale dhe qëllimi i caktimit të pagës minimale, duhet të jetë mbrojtja e punëtorëve të cilët kanë paga shumë të ulëta, që atyre t’ju ofrohen kushte për një jetë të dinjitetshme dhe që niveli i kësaj page duhet të caktohet pas marrëveshjes ose konsultimit të plotë me përfaqësuesit e punëtorëve dhe punëdhënësve. Aktgjykimi tutje sqaron që, përderisa neni 6 i Ligjit të kontestuar, e largon kushtin që Këshilli Ekonomik-Social të jetë vendimtar në përcaktimin e pagës minimale, i njëjti jodetyrimisht e afekton detyrimin e konsultimit të plotë me organizatat që përfaqësojnë të punësuarit dhe punëmarrësit në kuadër të Këshillit Ekonomik-Social, sepse ky i fundit gjithnjë ka rolin primar në vendosjen përkitazi me propozimin e përcaktimit të pagës minimale në Republikën e Kosovës dhe vetëm në rast të dështimit të arritjes së këtij konsensusi, kompetenca vendimmarrëse brenda një viti kalendarik, kalon në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Sipas sqarimeve të dhëna, Gjykata vëren që, ndryshimi i mënyrës së përcaktimit të pagës minimale në raport me përbërjen dhe mënyrën e vendimmarrjes së Këshillit Ekonomik-Social, mund të afektojë mënyrën e konsultimit dhe/ose të vendimmarrjes në mes të përfaqësuesve të organizatave të punëmarrësve, punëtorëve dhe Qeverisë, në kontekst të propozimit për nivelin e pagës minimale, por që megjithatë, nuk është në kompetencën e Gjykatës që të vlerësojë përzgjedhjen e politikës publike nga përfaqësuesit e popullit, por vetëm të vlerësojë nëse janë cenuar dispozitat e Kushtetutës.
Siç është sqaruar më lart, kjo e fundit nuk ngërthen norma që e rregullojnë çështjen e mekanizmave të nevojshëm për përcaktimin e pagës minimale në Republikën e Kosovës”, thuhet në vendim.