NISMA’s në Suharekë i bashkohen 222 anëtarë të rinj

Nismës Socialdemokrate në Suharekë i janë bashkuar 222 anëtarë të rinj të moshave e profileve të ndryshme. Prezantimi i aderimeve të reja është bërë të enjten në mbrëmje, ku prezent ishte edhe kreu i Nismës, Fatmir Limaj.

Aderimet e reja, sipas tij, gjithandej vendit tek Nisma Socialdemokrate tregon se njerëzit po e vlerësojnë Nismën si adresë të mirëfilltë politike.

Më tutje, ai ka thënë se Kosovës nuk i duhen parti që rrahin gjoks dhe japin vetëm sharje dhe përplasje.

“Kosovës nuk i duhen forca politike të cilat në esencë nuk kanë çka t’i japim vendit, përveç përplasjeve, sharjeve të njëri tjetrit. Ne kemi besuar që Kosovës duhet me i dhënë ide për me i bashkuar njerëzit me energji pozitive. Ky vizion i yni i shprehur në institucionet publike i ka ndihmuar Kosovës. Nisma Socialdemokrate me këtë frymë është kthyer në një urë bashkëpunimi me forcat politike. Me idetë tona i kemi ndihmuar në shumë raste vendin tonë për tu mos u futur në kriza të thella. Me idetë tona, angazhimin tonë në disa raste e kemi ndihmuar vendin tonë për të mos bërë gabime trashanike…ne nuk kemi rrahur gjoks, nuk besojmë kësaj teorie, nuk besojmë në atë të bërtitjes dhe vetos. Ne besojmë në teorinë e ekipore”, tha Limaj.

Për mënyrën e qeverisjes në komunën e Suharekës deri më tani, Limaj pati kritika. Ai tha se duhet më shumë investime që i prekin nevojat direkte të qytetarëve.

Limaj pati dhe një apel për partitë politike që të investojnë më shumë në njerëz dhe jo këta të fundit t’i shohin vetëm si numra.

Fjalë të mëdha për Nismën tha dhe kryetari i degës së Nisma Socialdemokrate në Suharekë, Sami Hajdaraj, i cili theksoi se ata janë ndryshimi i politikës kosovare.  Sipas tij, vizioni me të cilin po udhëhiqet Nisma Socialdemokrate po gjen mbështetje në Suharekë, por dhe në Kosovë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.