Formimi i Qeverisë Nis numërimi për mandatarin, Kurti fton LDK-në në tryezën e bisedimeve

Foto: Albin Kurti (SC/Facebook)

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është emëruar mandatar për formimin e qeverisë së re nga ana e presidentit Hashim Thaçi.

Propozimi i LVV-së për mandatimin e Kurtit është bërë pavarësisht faktit se ende nuk është arritur një marrëveshje me Lidhjen Demokratike të Kosovës, shkruan Zëri.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka emëruar liderin e LVV-së Albin Kurtin mandatar për formimin e qeverisë së re, dje pasi Lëvizja Vetëvendosje dorëzoi propozimin te kreu i shtetit.

Fituesi i zgjedhjeve, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje me mandatarin e saj, Albin Kurtin, i ka 15 ditë afat për t’ia paraqitur për votim Kuvendit kabinetin qeverisës.

Janë dy dokumente kryesore që e rregullojnë aspektin e formimit të Qeverisë.

Dokumenti i parë është Kushtetuta e Kosovës që e trajton këtë çështje në nenin 95 të saj, si dhe është Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese referuar mandatarit.

Neni 95.2 i Kushtetutës së Kosovës thotë se: “Kandidati për kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit”.

Ndryshe dje Albin Kurti doli me një vido-mesazh, ku e dtoi LDK-në që të rikthehet në tryezën e bisedimeve për të gjetur alternativa të reja.