Ngritet çmimi i ernergjisë elektrike në Kosovë

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar “Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit” (IHÇK) për muajin shtator 2020.

Në këto statistika shihet se ka rritje të çmimeve tek disa kategori si te perimet, lëndët djegëse si dhe te energjia elektrike.

Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte (-0.1%) në muajin shtator 2020. Ndërkohë, sa i përket normës vjetore të inflacionit e matur në muajin shtator 2020 në krahasim me muajin shtator të vitit të kaluar, kjo normë ishte -0,4%.

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në këtë muaj pësoi rënie në një mesatare prej (-0.1%), krahasuar me muajin gusht 2020. Kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it: te pemët ka pasur rënie me -9.3%; te përdorimi i pajisjeve për transportin personal -0.4%- ku bëjnë pjesë edhe rënia e çmimeve të naftës dhe benzinës; pushimet e organizuara me -2.3%; shërbime hoteliere me -06%, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej -0.3 për qind në IHÇK.

Ndërsa, ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it, ku perimet u rritën me 4.2%; rritje të çmimit është parë edhe te energjia elektrike, gazi dhe lëndë djegëse të tjera  me 1.9%- (ngritje e çmimeve të drunjve për ngrohje), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0.2 për qind në IHÇK.

Ndërkaq në krahasimet me vitin e kaluar, Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit pësoi rënie në një mesatare prej (-0.4%) në muajin shtator 2020, krahasuar me muajin shtator 2019. E kjo kryesisht është shpjeguar me rënien e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te nëngrupet e COICOP-it: qumësht, djathë dhe vezë (-2.1%); pemë (-3.5%); veshje (-1.3%); qelqurina, takëme dhe mjete të kuzhinës (-5.5%); përdorim i pajisjeve për transportin personal (-14.5%)-(rënie e çmimeve të naftës dhe benzinës), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-1.4) për qind në IHÇK.

Ndërsa ngritje e çmimeve vërehet te nëngrupet e COICOP-it: bukë dhe drithëra (2.6%); mish (1.5%); sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira (3.1%); ujë, pije joalkoolike, lëngje nga pemët dhe perimet (2.9%); duhan (2.2%); produkte mjekësore, aparaturë dhe pajisje (4.7%); shërbime ambulatore (5.5%); shërbime hoteliere (1.8%); kujdes personal (2.1%); sigurime (19.7%)-(ngritje e çmimeve të sigurimeve të automjeteve), me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1.0 për qind në IHÇK. 

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.