Ngërçi në Kuvend, presidentja me draft që do të mund të adresohej në Kushtetuese

para 9 dite

Nesër, Kosova do të shënojë tentativën e 30-të për të konstituar Kuvendin e ri.

Ngërçi në Kuvend,  presidentja me draft që do të mund të adresohej në Kushtetuese

Pas gati katër muajsh nga zgjedhjet, partitë politike ende nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje për ngërçin, pavarësisht deklaratave se posedojnë ide për të dalë nga kriza

Lidhur me situatën e Gjykatës Kushtetuese, këshilltari i Presidentes, Bekim Kupina, ka bërë të ditur për RTKlive se ekipi ligjor i Presidentes ka përgatitur një draft të lëndës që do të mund të adresohej në Kushtetuese. Megjithatë, ata janë në pritje të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me pranueshmërinë e kërkesës së dërguar nga AAK-ja.

“Kjo pastaj mund t’i sqarojë edhe çështjet e pranueshmërisë së një çështjeje që do të referohej nga Presidentja. Pra nuk është fjala për meritat e çështjes, por vetëm për anën procedurale, pra pranueshmërinë,” shpjegoi Kupina.

Kupina theksoi se pas takimit të parë konsultativ të mbajtur më 15 maj 2025, Presidentja i ka ftuar sërish liderët e partive politike në një takim të dytë konsultativ, kësaj here për çështjen e organizimit të zgjedhjeve lokale.

Ai shtoi se gjatë këtij takimi të dytë, Presidentja Vjosa Osmani e ka përsëritur në mënyrë të drejtpërdrejtë ftesën e saj që, nëse partitë politike kanë interes për konsultime shtesë lidhur me konstituimin e Kuvendit, ajo është e gatshme të zhvillojë takime të veçanta me secilin prej tyre. “Ftesa e Presidentes vlen ende, nëse për një gjë të tillë kanë interesim liderët e partive politike,” përfundoi Kupina.

Mbetet të shihet nëse tentativa e 30-të do të sjellë ndonjë zhvillim pozitiv apo nëse kriza politike do të thellohet më tej.

Etiketat

Ofertat e fundit