20.09.2019, 9:54

Ngecjet, drejt transformimit të FSK-së në Ushtri

Dy dekada pas përfundimit të luftës Kosova arriti ta bëjë ushtrinë e saj.

Vitin e kaluar Kuvendi miratoi tri projektligjet, të cilat ua jepnin FSK-së atributet ushtarake, por ekspertët e sigurisë vlerësojnë se transformimi i FSK-së është duke shkuar me hapa tejet të ngadaltë, shkruan sot Gazeta ‘Zëri’. 

Teksa ka folur rreth FSK-së, eksperti i çështjeve ushtarake Ramadan Qehaja ka thënë se pas votimit të projektligjeve për transformimin në ushtri janë bërë disa përgatitje që FSK-ja të përforcohet.

Rrjedhimisht sipas tij është arritur një gatishmëri vepruese në këtë drejtim. Por Qehaja ka konsideruar se ka pasur edhe ngecje në rrugëtimin gati njëvjeçar të FSK-së pas marrjes së atributeve ushtarake.

“Unë mendoj se është e mundur të bëhet më shumë sa i përket armatimit edhe pse nuk mund të themi që ka pasur aq mundësi financiare. Çështja tjetër, të cilën unë e kam vërejtur është në riorganizim. Domethënë qasjet organizative duhet të shqyrtohen dhe të jepet një studim a është arritur ajo që është paraparë ose ka ngecje, gjë që unë mendoj se ka ngecje”, ka thënë ai për “Zërin”.

LEXO EDHE:  Taksa 100% ndaj Serbisë e Bosnjës ndikoi keq në ekonomi, rriti çmimet në Kosovë

Duke u nisur prej këtyre Qehaja ka thënë se nuk mund të jetë i kënaqur me të arriturat e deritanishme të FSK-së, ndaj për të avancuar tutje duhet të ketë një angazhim të posaçëm të lidershipit të FSK-së.

Edhe Besa Kabashi-Ramaj, njohëse e çështjeve të sigurisë, ka konsideruar se Kosova është mjaft vonë sa i përket ngritjes së kapaciteteve të FSK-së.

“Problemi është që vetëm ia kanë filluar me vonesë, nuk janë në kohë dhe nëse nuk e përfillin tamam planin zhvillimor 10-vjeçar mund të ketë shumë probleme. Për shembull, nëse shkohet e blihet një pajisje në fazën e parë ose të dytë, që parashihet në fazën e tretë, atëherë ajo shkakton shumë probleme”, ka deklaruar Kabashi-Ramaj. /ZERI

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.