Nga zyret me qera, ZKA bartet te ish-Pallati i Shtypit “Rilindja”, Kurti: Po kthejmë pronat publike në shërbim të institucioneve
Pas vitesh të tëra që funksiononte në një ndërtesë private, më në fund Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) do të zhvendoset në një ndërtesë publike.
Foto: Ilustrim
Kjo u bë e mundur pasi Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike miratoi kërkesën e ZKA-së për t’i akorduar një hapësirë prej 2,800 metrash katrorë në ish-Pallatin e Shtypit “Rilindja”.
Lajmin e ka shprëndarë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale tha se po i kthejnë pronat e privatizuara shtetit.
“Terminalet e privatizuara doganore po ia kthejmë shtetit. Institucionet shtetërore po i kthejmë në pronat publike, duke kursyer buxhetin e shpenzuar për pagesë të qerasë. Detyra jonë është ta përkrahim e lehtësojmë punën e tyre, obligimi i institucioneve është t’i shërbejnë të gjithëve pa dallim dhe me efikasitet të lartë”, ka shkruar Kurti.
Vendimi për zhvendosjen e ZKA-së në një ambient publik u përshëndet nga Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca. Ajo e konsideroi këtë si një hap të rëndësishëm për përmirësimin e kushteve të punës, rritjen e kapaciteteve operacionale dhe ruajtjen e kredibilitetit të ZKA-së.
Spanca vlerësoi gjithashtu angazhimin e autoriteteve për krijimin e kushteve të përshtatshme për punën e ZKA-së, duke theksuar se kjo do të lehtësojë punën e institucionit në përmbushjen e mandatit të vet dhe do të kursejë buxhetin e shpenzuar për pagesën e qirasë.
Kurti: Subjektet politike shqiptare në Luginë dakordohen për listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”