Nga sot sigurimi i automjeteve shtrenjtohet për 26%

15.11.2019

Nga sot ka hyrë në fuqi vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili ky vendim ka të bëjë me shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26 për qind dhe nga sot ka nisur të zbatohet prej kompanive të sigurimeve. Burime nga BQK, i kanë thënë KosovaPress-it se vendimi për shtrenjtimin e sigurimeve ka […]

Nga sot sigurimi i automjeteve shtrenjtohet për 26% Foto: Ilustrim

Nga sot ka hyrë në fuqi vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i cili ky vendim ka të bëjë me shtrenjtimin e sigurimit të automjeteve për 26 për qind dhe nga sot ka nisur të zbatohet prej kompanive të sigurimeve.

Burime nga BQK, i kanë thënë KosovaPress-it se vendimi për shtrenjtimin e sigurimeve ka hyrë në fuqi sot.

“Vendimi i marrë më 1 nëntor nga BQK i është dërguar kompanive të sigurimeve dhe ka hyrë në fuqi nga sot për rishikimin e tarifave të sigurimit për kategoritë e automjeteve për pasagjerë”, thotë ky burim.

Sipas një dokumenti të Bankës Qendrore të Kosovës, të cilin e posedon Radio Evropa e Lirë, çmimet për tarifat e automjeteve rriten sipas centimetrit kubik, nga më e ulëta deri te më e larta.

Si shembull, për automjetet prej 0 deri në 750 centimetër kubik që aktualisht paguhet 59 euro, çmimi do të rritet në 74.71 euro. Ndërkaq, tarifa më e lartë, që vlen për automjetet mbi 2701 centimetër kubik, e cila është aktualisht 247.80 euro, ndërkaq çmimi i ri do të jetë, 313.78 euro.

Disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë e quajnë të papranueshëm vendimin e Bankës Qendrore te Kosovës për rritje të tarifave për sigurimin e detyrueshëm të automjeteve.

Ndaj këtij vendimi për shtrenjtimin e sigurimeve, janë shprehur të shqetësuar edhe drejtues të Odës së Afarizmit të Kosovës, të cilët konsiderojnë se rritja e tarifave në regjistrimin e makinave për 26% me arsyetimin e falimentimit të një kompanie sigurimi nuk është arsyetim. Sipas tyre, BQK nuk duhet t’i vihet në barrë biznesit dhe qytetarëve.

Ndërsa, për të shtunën, më 23 nëntor janë paralajmëruar dy protesta kundër rritjes së çmimit për sigurimin e automjeteve në Prishtinë.

Madje, njëri prej tyre ishte paraparë të mbahej nesër më 16 nëntor por për shkak të ndeshjes Kosovë-Angli, policia nuk ka lejuar të protesohet tek BQK e cila gjendet në afërsi të stadiumit “Fadil Vokrri”.

Ndryshe, BQK-ja më 1 nëntor kishte marrë vendim që tarifat e sigurimit për kategoritë e automjeteve për pasagjerë të rriten për 26 përqind.