Nga shtatori rritet siguria nëpër shkolla

Nga shtatori rritet siguria nëpër shkolla
Çlirim Gashi

30.08.2019 / Lajme

Duke filluar nga viti i ri shkollor, policia e Kosovës do të shtojë prezencën e policëve në afërsi të shkollave.

Në koordinim me Ministrinë e Arsimit dhe Komunën e Prishtinës, ata do të nisin aktivitetet duke marrë masa konkrete për parandalimin e aksidenteve dhe ruajtjes së sigurisë në afërsi të shkollave.

Kjo është bërë e ditur nga Drejtori i Divizionit të Komunikacionit Rrugor, Jeton Rexhepi.

“Do të ketë prezencë të shtuar të Policisë sidomos në afërsi të shkollave. Po ashtu janë paraparë edhe ligjërata që do të zhvillohen në teori dhe praktikë me nxënës. Instruktorët së bashku me fëmijët do t’i praktikojnë rregullat dhe shenjat e trafikut rrugor”, tha Rexhepi.

Ai poashtu ka kërkuar nga prindërit që t’iu kushtojnë kohë më shumë fëmijve të tyre dhe t’i mësojnë për rregullat e trafikut rrugor pasi prindërit janë model  për fëmijët.

Alush Istogu nga Ministria e Arsimit, tha se nxënësit kanë nevojë edhe për sigurinë në rrugë.

“Në si ministri jemi të përgatitur në aspektin e ngritjes profesionale të nxënësve, hartimin e kurikulës së re në disa klasë dhe pajisjen e nxënësve me libra”.

“Përpos sigurisë në shkollë kemi nevojë më pas siguri edhe në rrugë. Duhet të fuqizohet edhe më tutje komuniteti i prindërve për përcjelljen e nxënësve nëpër shkolla”, tha Istogu.

Medina Braha, drejtoreshë e Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës tha se kanë shtuar numrin e vendkalimeve në kryeqytet.

“Përfaqësuesit e Policisë së Kosovës treguan se kanë hartuar disa planë në terren për zgjidhjen e problemeve kyçe. Kemi ngritur disa vendkalime”, tha Braha.

RAPORTO