Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka bërë të ditur se që nga nesër në vendin tonë do të rikthehet i ftohti.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka bërë të ditur se, masat e ajrit me origjinë polare do të mbeten prezent pothuajse gjatë gjithë javës, duke krijuar kushte për mot kryesisht të thatë dhe të ftohtë.

Sipas IHMK-së, shtypja atmosferike mbetet e lartë, dukshëm mbi vlerat e normales.

Temperaturat minimale parashihen të lëvizin ndërmjet -4 deri -9 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet -1 deri 6 gradë Celsius.

Do të fryjë erë kryesisht nga veriu dhe verilindja me shpejtësi deri 13m/s, ndërsa në rrafshin e Dukagjinit, erërat do të jenë më të fuqishme duke kaluar shpejtësinë mbi 20m/s.

Erërat me këtë shpejtësi mbesin prezent vetëm ditën e hënë, ndërsa ditët tjera, do të fryjë erë e lehtë deri mesatare.

Bazuar në situatën sinoptike dhe numerike, reshje të asnjë forme nuk parashihen deri në gjysmën e dytë të muajit aktual, që nënkupton se do të ketë deficit të reshjeve, ndërsa në fushat termike nga dita e enjte e javës vijuese do të ketë ngritje të lehta.

Më poshtë ju sjellim temperaturat minimale dhe maksimale për dy ditët e ardhshme në qytetet kryesore të vendit.