Nga 1 marsi fillon aplikimi i tiketave ngjitëse në automjete
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nga muaji mars do të fillojë me zbatimin e projektit të tiketave ngjitëse për automjetet. Tiketa ngjitëse merret me rastin e kontrollimit teknik të automjetit, i cili është i nevojshëm për regjistrimin e tij. Ajo do të vendoset në një vend të dukshëm të secilës veturë. Sami Mazreku, […]
Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës nga muaji mars do të fillojë me zbatimin e projektit të tiketave ngjitëse për automjetet.
Tiketa ngjitëse merret me rastin e kontrollimit teknik të automjetit, i cili është i nevojshëm për regjistrimin e tij. Ajo do të vendoset në një vend të dukshëm të secilës veturë.
Sami Mazreku, drejtor i Byrosë Kosovare të Sigurimeve, thotë se e gjitha kjo bëhet më qëllim të uljes së numrit të automjeteve të pasiguruara në trafik.
Sipas tij, aksidentet e shkaktuara nga këto makina, Byrosë Kosovare të Sigurimit i kanë kushtuar miliona euro.
“Ndër vite byroja ka paguar miliona euro dëme duke mos ndërmarrë asnjë hap për reduktimin e automjeteve të pasiguruara dhe të paregjistruara. Edhe policia po e ka të vështirë t’i identifikojë se cilat automjete janë pa regjistrim dhe sigurim”, thotë Mazreku.
Të gjitha shpenzimet financiare dhe operative lidhur me vendosjen e tiketave nëpër mjete motorike do t’i bartë BKS, si përfaqësuese e industrisë së sigurimeve në Kosovë.
Rrjedhimisht, buxheti i shtetit të Kosovës nuk do të ketë asnjë ngarkesë financiare lidhur me vendosjen e ngjitësve. Sami Mazreku sqaron se edhe qytetarët nuk do të ngarkohen me kurrfarë pagese shtesë.
“Nuk do të kushtojë pesë euro, nuk do të ketë kosto shtesë për qytetarët dhe jemi duke diskutuar brenda sektorit se si do të mundë të bëhen pagesat”, u shpreh Mazreku.
Veturat e paregjistruara në Kosovë janë sfidë e madhe për institucionet tash e sa vjet.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i këtyre veturave në territorin e Kosovës është mbi 200 mijë.
Përpjekjet e autoriteteve në Kosovë për anëtarësim në Këshillin e Byrove Evropiane, që siguron Kartonin e Gjelbër, po sfidohen nga dy probleme thelbësore.
Së pari, Kosova nuk është shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe së dyti, në Kosovë ka një numër të madh të automjeteve të paregjistruara, të cilat janë edhe të pasigurta në qarkullim.
Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se pas tiketave ngjitëse do të vazhdohet edhe me projektin e pajisjeve digjitale – si pilot-projekt për Prishtinën – të cilat do t’i detektojnë automjetet e paregjistruara./Radio Kosova