​Nesër takimi Bislimi – Petkoviq, optimizëm për arritjen e një dakordimi për dinarin

24.03.2024

Një ditë para takimit të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ka optimizëm nga njohësit e procesit të dialogut se do të arrihet një pajtim për çështjen e dinarit.

​Nesër takimi Bislimi – Petkoviq, optimizëm për arritjen e një dakordimi për dinarin Foto: Ilustrim

Sipas tyre, rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh që vetem valuta euro të përdoret për pagesa, është legjitime, por duhet të gjenden modalitetet për zbatimin konkret të saj në terren, pa u prekur qytetarët serbë të Kosovës. Andaj, potencojnë nevojën për konstruktivitet në takimin e së hënës.

Në anën tjetër, nga Qeveria e Kosovës nuk kanë bërë të ditur nëse kanë dërguar propozimet për dinarin, afati për të cilat ka qenë deri më 22 mars.

Mirëpo, kryeministri Albin Kurti, tha të premten se rregullorja e BQK-së, është e panegociueshme dhe se nuk do të pranojnë propozime që bien ndesh me të njëjtën.

Kryenegociatori i Kosovës për dialog, Besnik Bislimi, është takuar gjatë kësaj jave me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq në Bruksel, ku mes tjerash është diskutuar edhe çështja e dinarit.

Palët janë dakorduar që deri më 22 mars të dërgojnë propozimet për dinarin te ndërmjetësuesi për dialog, Miroslav Lajçak, ndërsa më 25 mars të diskutojnë për arritjen e një zgjidhje./kp