Nesër Kryesia e Kuvendit do ta shqyrtojë kërkesën e 49 deputetëve për seancë të jashtëzakonshme lidhur me mbylljen e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit, si dhe do të diskutohet për plotësim-ndryshimin e ligjit ekzistues.

Siç dihet kërkesën për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme lidhur me mbylljen e aktivetit të kazinove dhe lojërave të fatit, e bëri Grupi Parlamentar i LDK-së.

Këtë iniciativë e përkrahen të gjitha grupet e tjera parlamentare, si Vetëvendosje (VV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Pasi të mblidhet Kryesia e Kuvendit, nga ora 11:00, Kuvendi do të mblidhet në seancën e jashtëzakonshme, ku do të diskutohet për kërkesen e deputetëve nënshkrues, ku për bazë ka pezullimin e aktivitetit të kazinove dhe lojërave të fatit.

Kujtojmë, se ende pa u bërë një javë 2 persona humbën jetën në vendin e tyre të punës në Kazino, ku një vrasje ndodhi në Suharekë të dielën ku dyshohet se e mbyti një rreshter i Policisë së Kosovë, dhe dje në Lipjan ndodhi e njejta gjë ku mbet i vdekur në kazino (vendin e punës), dyshohet se mbeti i vrarë nga një grabitës.