Nesër në ora 12:00 vazhdon seanca konstituive
Pas dështimit të seancës konstituive një ditë më parë, Kuvendi i Kosovës do të nisë punimet nesër, e enjte, në orën 12:00.
Lajmi është konfirmuar përmes një njoftimi zyrtar të postuar në faqen e internetit të Kuvendit.
Rikujtojmë se seanca e parë e thirrur për të verifikuar mandatet e deputetëve të zgjedhur në zgjedhjet e 9 shkurtit u mbyll pa sukses. Opozita e deritanishme shprehu kundërshtimin e saj ndaj verifikimit, duke argumentuar se kryeministri dhe ministrat aktualë nuk mund të marrin postin e deputetit pa dhënë më parë dorëheqjen nga funksionet e tyre qeveritare.
Nga ana tjetër, zyrtarët qeveritarë kanë theksuar se me përfundimin e mandatit qeveritar, para certifikimit si deputetë, ata konsiderohen efektivisht të dorëhequr. Madje, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se ka dërguar një letër zyrtare të konfirmimit të dorëheqjes drejtuar kryetarit aktual të Kuvendit.