Nesër hidhet në shqyrtim të dytë Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike
Nesër, më datë 04 dhjetor, 2020 Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, ku pritet të votohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike. Me kërkesë të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, të premten në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca e jashtëzakonshme. Kërkesën për këtë seancë të jashtëzakonshme e kanë nënshkruar […]
Nesër, më datë 04 dhjetor, 2020 Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme, ku pritet të votohet Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike.
Me kërkesë të shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza, të premten në Kuvendin e Kosovës do të mbahet seanca e jashtëzakonshme.
Kërkesën për këtë seancë të jashtëzakonshme e kanë nënshkruar edhe deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së.
E vetmja pikë e rendit të ditës do jetë, ”Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 07/L-016 për Rimëkëmbjen Ekonomike – COVID-19”, thuhet në njoftimin e Kuvendit të Kosovës.
Ndryshe, më 12 tetor, pas gjashtë dështimeve, Kuvendi i Kosovës me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, kishte votuar në lexim të parë këtë Projektligj.
Me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimi i Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.
Seanca do të fillojë në ora 11:00, mediat nuk do të lejohen të jenë prezente në seancë përveç se do të transmetohet në ueb-faqen e Kuvendit, Kanalit zyrtar të Kuvendit të Kosovës në Youtube dhe RTK si medium publik.