Në fund të muajit maj Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit nën Qeverinë Kurti ka caktuar 4 korrikun 2020 si datë të mbajtjes së Provimit të Maturës Shtetërore dhe 23 qershorin si datë për mbajtjen e Testit të Arritshmërisë për klasët e nënta.
Mirëpo për shkak të shtimit të numrit të rasteve me COVID-19, Ministria e Arsimit në koordinim me drejtoritë komunale dhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike, pritet që këtë javë të vendosë nëse do të mund të organizohen testi i arritshmërisë dhe ai i maturës apo të hiqen fare.
Se a është opsion edhe anulimi i mbajtjes së Provimit të Maturës dhe Testit të Arritshmërisë kjo pritet të dihet gjatë javës së ardhshme. Para se të merret vendimi për mbajtjen ose jo paraprakisht duhet të merren mendimet e ekpsertëve të IKSHPK-së dhe praktikave të vendeve të regjionit dhe të BE-së.
Kështu të paktën ka bërë të ditur ministri i MASH-it, Ramë Likaj, në një përgjigje për KOHËN.
“Nesër kemi takim me DKA-të, Drejtoritë e MASH, divizionet përgjegjëse të MASH dhe bazuar në mendimet e ekspertëve të IKSHP-së dhe praktikave të vendeve të regjionit dhe BE-së, do të marrim vendim. Shëndeti i fëmijëve, nxënësve, mësimdhënësve dhe gjithë qytetarëve është parësor”, thuhet në përgjigjen e tij.