Çlirim Gashi
04.04.2019, 14:01

Nënshkruhet marrëveshja, vendet e Ballkanit Perëndimor pa roaming!

U nënshkrua marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimit të roamingut ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pjesë e kësaj marrëveshjeje është edhe Kosova.

Të gjithë qytetarët shqiptarë pajtohen se tarifat e roamingut janë një pengesë kur udhëtojnë kudo jashtë vendit. Por të paktën në disa vende në Ballkan shqiptarët nuk do të kryejnë telefonata apo shërbime të tjera celulare me kosto të larta.

Në Samitin e dytë Digjital, që po zhvillon punimet në Beograd të Serbisë, është nënshkruar marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimit të romingut ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ky është qëllimi i marrëveshjes për heqjen e tarifave të shërbimit ‘roaming’, e cila u nënshkrua këtë të enjte në Beograd nga 6 vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, dhe Serbia.

Në Beograd, po merr pjesë një delegacion, që po kryesohet nga ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës, Valdrin Lluka, i cili e ka nënshkruar këtë pakt.

“Ky është hapi i parë pozitiv kështu që nuk do jetë më nevoja që qytetarët e vendeve të rajonit të blejnë numra të rinj telefonësh apo të kenë nevojë për shërbimin Roaming kur udhëtojnë në rajon, në vendet: Shqipëri, Bosnje-Hercegovinë, Maqedoni e Veriut, Malit i Zi, Kosovë dhe Serbi”, njoftoi Majlinda Bregu, sekretare gjenerale e RCC.

Tarifa e romingut nënkupton telekomunikimin dhe shërbimin që qytetarët e një shteti përdorin në një shtet tjetër.

Megjithatë, marrëveshja do të nisë të zbatohet në korrik të vitit 2021, ndërkohë që reduktimet e tarifave do të fillojnë që nga 1 korriku i këtij viti, si formë lehtësimi për komunikimet ndërmjet qytetarëve.

Këto tarifa, zakonisht janë dyfish më të larta sesa ato që përdoren për telekomunikimin brenda një shteti, raporton rel.

Nënshkrimi i marrëveshjes do të thotë se që prej datës 1 Korrik të vitit 2021, në secilin prej 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor do të mund të flitet me koston e një telefonate lokale, dhe jo më me tarifat e shtrenjta roaming.