Nënshkruhet kontrata për vazhdimin e punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë

08.02.2024

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka bërë të ditur se kanë nënshkruar kontratën për vazhdimin e punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë.

Nënshkruhet kontrata për vazhdimin e punimeve në magjistralen Prishtinë-Mitrovicë Foto: Ilustrim

Aliu në një konferencë për media ka thënë se punimet e papërfunduara në këtë magjistrale u janë lënë trashëgimi nga qeverisjet e kaluara, por se punimet do të nisin shumë shpejt.

“Sot është nënshkruar kontrata. Kompania ka afat përgatitor 28 ditë që të fillojë punën. Shumë shpejt do të jemi në terren në realizimin e këtyre punimeve. Ky projekt kushton 25 milionë euro dhe është huamarrje nga fondi OPEC”, ka thënë Aliu.

Tutje ai tha se procedurat për këtë kontratë u kanë marrë kohë një vit.

Ndërsa, zëvendësministri Hysen Durmishi u shpreh se ky është një projekt i rëndësishëm, gjersa tha se ata ishin të detyruar të shkëpusin kontratën e kaluar.

Ai tha se plani i punimeve për këtë magjistrale është i shkurt.

“Që nga sot një vit në ditët kalendarike. Kontraktori e ka për obligim që t’i përfundojë komplet punimet. Në fazën e parë punimet janë paraparë deri në Vushtrri dhe në fazën e dytë të vazhdojmë me segmentin tjetër”, ka thënë Durmishi.

Ndryshe, punimet për ndërtimin e rrugës që lidh Prishtinën, Vushtrrinë dhe Mitrovicën kishin filluar qysh në vitin 2009. Këto punime kishin ngecur për shkak të problemeve të shpronësimit në atë pjesë.