Nënkryetarja e VV-së: Bashkë me LDK-në duhet të përmbushim shpresat për ndryshim

20.01.2020

Nënkryetarja e VV-së, Arbërie Nagavci, përmes një shkrimi në Facebook ka ftuar edhe njëherë LDK-në që të iu rikthehet tavolinës së bisedimeve për krijimin e koalicionit dhe të qeverisë mes këtyre dy subjekteve politike. Ajo ka njoftuar se gjatë ditës së sotme VV ka dërguar tek presidenti propozimin e saj për kryeministër, Albin Kurtin. Nagavci […]

Nënkryetarja e VV-së: Bashkë me LDK-në duhet të përmbushim shpresat për ndryshim Foto: Lëvizja Vetëvendosje

Nënkryetarja e VV-së, Arbërie Nagavci, përmes një shkrimi në Facebook ka ftuar edhe njëherë LDK-në që të iu rikthehet tavolinës së bisedimeve për krijimin e koalicionit dhe të qeverisë mes këtyre dy subjekteve politike.

Ajo ka njoftuar se gjatë ditës së sotme VV ka dërguar tek presidenti propozimin e saj për kryeministër, Albin Kurtin.

Nagavci shton se proceset dhe institucionet nuk munden të mbeten pezull, prandaj duhet sa më parë të ndodh formimi i qeverisë.

Ky është shkrimi i saj i plotë:

Albin Kurti, personi më i votuar në zgjedhjet parlamentare, është i mandatuari për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Sot dërguam dhe formalisht propozimin e LV! si fituese e zgjedhjeve.

Tani më nuk ka dhe shumë kohë, 15 ditë nga nesër Albin Kurti duhet të paraqes përbërjen e Qeverisë para Kuvendit.
Nuk mund të presim në pafundësi, nuk mund të rrezikojmë miratimin e buxhetit e krijimin e situatave të vështira financiare në qindra mijëra familje e as të bllokojmë krijimin e institucioneve.

Ne po bëjmë hapa përpara në jetësimin e vullnetit të qytetarëve të shprehur me 6 tetor, po angazhohemi për krijimin e një Qeverie që do të luftojë krimin e korrupsionin, që do të punoj shumë për zhvillimin ekonomik e përmirësimin e jetës së qytetarëve, për mundësitë e reja e hapjen e perspektivave për të rinjët tanë.

Kemi besuar se në këtë rrugëtim do të jemi bashkë me LDK-në, në realizimin e programit për të cilin jemi pajtuar tashmë, andaj jemi angazhuar e do të punojmë edhe ditëve në vijim që kjo të arrihet.

Nuk mund të kthehemi në të kaluarën, në rrugën përpara duhet ulur në tavolinën e bisedimeve deri në arritjen e marrëveshjes, votimin e Qeverisë Kurti dhe fillimin e punës.

Bashkë me LDK-në duhet të përmbushim shpresat për ndryshim. Kjo është mundësia e fundit për të jetësuar vullnetin e qytetarëve, për t’u shkëputur përfundimisht nga qeverisjet e papërgjegjshme që shkaktuan largimin e qindra mijëra qytetarëve rrugëve të botës.

Skenaret që pengojnë realizimin e vullnetit të qytetarëve nuk mund dhe nuk duhet të ngadhnjejnë mbi zërat racional që duhet t’I dëgjojmë këto ditë. Është koha që premtimet t’i bëjmë realitet, që besimin që na e kanë dhënë, ta kthejmë në votimin e Qeverisë së ndryshimit.

Qytetarët kanë folur me 6 tetor, të zgjedhurit e tyre do të flasin pas dy jave, me shpresën që do të përmbushin besimin e dhënë.