Lajme

Nënkryetari i LDK-së: Oferta e LVV-së nuk është diçka serioze, megjithatë po e shqyrtojmë

Foto: Ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin i ka bërë ofertën e fundit Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për bashkëqeverisje.

Në këtë ofertë të cilën e ka siguruar Insajderi, Kurti ka propozuar rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14. Kësisoj, LDK do të ketë gjashtë ministri, VV, pesë, derisa minoritetet tri ministri.

Për këtë ofertë të fundit nga LVV drejtuar LDK-së ka folur edhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu.

Veliu në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se në këtë ofertë nuk ka diçka të re dhe serioze që do të mund ta zgjidhte situatën drejt një marrëveshje përfundimtare.

“Unë po flas personalisht nuk është diçka serioze. Jemi duke e shqyrtuar megjithatë nuk ka diçka të re. Nuk ka diçka serioze aty që mund të na nxjerrë prej situatës”, tha Veliu.

Megjithatë sipas tij, kjo ofertë duhet të shqyrtohet brenda organeve të LDK-së.

“Duhet me shqyrtua me organet e LDK-së edhe besoj se do të bisedojmë për parime të marrëveshjes, nuk e di çfarë kemi të shqyrtojmë në këtë ofertë”, u shpreh Veliu.

I pyetur se a do të mund të ketë takim brenda ditës së sotme mes Mustafës dhe Kurtit, nënkryetari i LDK-së u shpreh se “Jo takime nuk besoj që ka, letrën e kemi marrë bazë të saj do ta shqyrtojmë parimet dhe pozicionet tona”.