Në Speciale fillon dëshminë Halil Çadraku, zgjedhi që të dëshmojë në seancë të hapur
Halil Çadraku është dëshmitari i ri i Prokurorisë, i cili filloi dhënien e dëshmisë sot paradite.
Sipas përmbledhjes që dha Prokuroria në sallë të gjyqit, dëshmitari iu bashkua UÇK-së afërsisht në mars 1998 dhe kishte role të ndryshme në vende të ndryshme, përshirë në zonën operative të Pashtrikut.
Në bazë të rregullës 151(2), Trupi Gjykues njoftoi në sallë të gjyqit se ai vendosi ta detyronte dëshmitarin të jepte dëshmi për shkak të, ndër të tjera, rëndësisë dhe dëshmisë unike, dhe për shkak se mundësia për vetinkriminim ishte e kufizuar. Sipas rregullës së njëjtë, pararafit 3, Trupi Gjykues e siguroi dëshmitarin se dëshmia do të jepet in camera, përveç nëse dëshmitari kërkon ndryshe, dhe nuk do të përdoret kundër tij në asnjë procedim penal të mëvonshëm para DHSK-së, përveç në bazë të nenit 15 (2) të Ligjit dhe rregullës 65 të Rregullores.
“Pas konsultimit me mbrojtësin kujdestar të tij, dëshmitari bëri të ditur se dëshiron që dëshmia të kryhet në seancë të hapur”, njofton Specialja.