Në QNTKSH përfundon trajnimi i avancuar për Kërkim-Shpëtim, certifikohen 16 pjesëtarë
Në Qendrën Ndërkombëtare të Trajnimit për Kërkim-Shpëtim (QNTKSH), në kuadër të Komandës së Gardës Kombëtare, ka përfunduar trajnimi i avancuar për Kërkim-Shpëtim.
Foto: Ilustrim
Trajnimi dyjavor kishte për qëllim avancimin e njohurive dhe aftësive profesionale të pjesëtarëve për operacionet e kërkim-shpëtimit, duke përfshirë pjesën teorike dhe atë praktike.
Gjatë trajnimit, pjesëmarrësit u përgatitën në teknika të specializuara për operim në terrene të vështira, përfshirë sistemet e ankorimit, boltimet, sistemet e litarëve, evakuimin e viktimave, teknikat e alpinizmit dhe procedura të tjera të rëndësishme për operacionet e kërkim-shpëtimit.
Në përmbyllje të programit, në zonën e Rugovës u zhvillua një ushtrim 72-orësh, gjatë të cilit pjesëmarrësit zbatuan në praktikë njohuritë e fituara përmes skenarëve të simuluar operacionalë.
Në fund të trajnimit, 16 pjesëtarë u certifikuan me sukses, duke përmbyllur programin intensiv të përgatitjes profesionale dhe praktike.
Sipas QNTKSH-së, trajnime të tilla kontribuojnë në forcimin e gatishmërisë operacionale dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale për reagim më të organizuar në situata emergjente dhe në terrene të vështira.
