Qeveria e Kosovës ka në plan t’i hapë të gjitha linjat e udhëtimit ajror dhe tokësor, e madje t’i lejojë edhe tubimet publike.
Në mbledhjen e ekzekutivit që është paralajmëruar të mbahet sonte në orën 20:00, Ministria e Shëndetësisë do ta paraqesë për votim para Kabinetit Qeveritar një propozim-vendim, me të cilin shfuqizohen dy vendime të qeverisë paraprake që pezullonin të gjitha linjat e udhëtimit ajror dhe tokësor nga vendet me risk të lartë dhe të mesëm.
Draft-vendimi që e ka siguruar KOHA përmban edhe një pikë, me të cilën shfuqizohet obligimi që aktivitet publike dhe jopublike të zhvillohen të mbyllura dhe pa praninë e publikut si, ngjarjet sportive, tubimet, konferencat, tryezat e rrumbullakëta e të tjera.