Në Lipjan një grua raporton se është dhunuar seksualisht nën kërcënimin e thikës, i dyshuari lirohet
Një ngjarje tronditëse raportohet të ketë ndodhur në orët e para të mëngjesit të 27 majit në Lipjan, ku një grua ka kallëzuar në polici se është dhunuar seksualisht nën kërcënimin e një thike, mëson Sinjali nga burime brenda hetuesisë.
Sipas kallëzimit të viktimës, incidenti ka ndodhur më 27 maj, rreth orës 05:00 në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Lipjan. Ajo pretendon se është sulmuar nga A.S., i cili dyshohet se ka kryer aktin e dhunës në prani të bashkëjetuesit të saj, Xh.Z., i cili është intervistuar nga policia në cilësinë e dëshmitarit.
Pas raportimit të ngjarjes, njësia rajonale e hetimeve ka marrë menjëherë masa procedurale. I dyshuari A.S. është intervistuar, ndërsa viktima është dërguar për ekzaminim gjinekologjik. Në hetim është përfshirë edhe Prokurori për Krime të Rënda, i cili po udhëheq procedurën.
Rasti fillimisht është iniciuar si “Dhunim”. Përkundër natyrës së rëndë të kallëzimit, i dyshuari A.S. është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet lidhur me këtë rast janë ende në fazën fillestare. Organet e drejtësisë pritet të zbardhin plotësisht ngjarjen dhe të përcaktojnë përgjegjësinë penale të personave të përfshirë.