Në Kosovë njerzit po riinfektohen me COVID-19, nuk dihet a janë me variantin e ri

Edhe pse thuhet se riinfektimi me COVID-19 është shumë i rrallë, në Kosovë kanë filluar të konfirmohen raste të infektuara për herë të dytë me këtë virus. Riinfektimi me koronavirus po vlerësohet se po rëndon më shumë shëndetin e pacientëve. Infektologët thonë se duhet të hulumtohet nëse këta pacientë janë duke u infektuar me variantin e ri të koronavirusit.

Qytetarë të infektuar për herë të dytë me koronavirus kanë kërkuar së fundmi trajtim shëndetësorë në institucionet publike shëndetësore në vend.

Riinfektimi me këtë virus po vlerësohet t’ua ketë përkeqësuar më shumë gjendjen shëndetësore.

Drejtoresha e Klinikës Infektive në QKUK, Lindita Ajazaj-Berisha, ka thënë për media se në këtë klinikë janë paraqitur për trajtim raste që kanë rezultuar për herë të dytë me koronavirus.

Ajo ka thënë se disa prej pacientëve kanë qenë gjatë muajve të verës të konfirmuar pozitiv me COVID-19, derisa edhe tani janë paraqitur në klinikë pas riinfektimit me këtë virus.

Ajazaj-Berisha ka treguar se kanë pasur raste që kur kanë qenë të konfirmuar pozitiv me koronavirus për herë të parë nuk kanë pasur manifestime klinike, ose i kanë pasur manifestimet e lehta, ndërsa tani ka prej tyre që i është dashur të hospitalizohen.

Ndërsa, i riinfektuar me COVID-19 është konfirmuar edhe një pacientë nga Komuna e Gjilanit.

Nënkryetari i kësaj komune, Arbër Ismajli, ka thënë për Express, se për momentin vetëm një rast nga kjo komunë ka rezultuar pozitiv me virus për herë të dytë.

Ai ka thënë se pacienti ka qenë i infektuar për herë të parë para tre muajve.

Ismajli ka theksuar se gjendja e pacientit ka qenë më e rëndë kur është infektuar për herën e dytë.

“Ne e kemi një rast në Gjilan. Ai ka qenë i infektuar para diku 3 muajve, ndërsa ka qenë pak më rëndë kur është infektuar për herën e dytë. Ai po shkon duke u përmirësuar”, ka deklaruar ai.

Përndryshe, infektologu Hamdi Ramadani, ka thënë se gjendja me pandeminë vazhdon të jetë e rëndë në Kosovë.

Ndërsa, ai ka deklaruar se rastet kur një person infektohet për herë të dytë janë të rralla.

“Në raste të rralla është e mundur që një person që e ka pasur COVID-19  të riinfektohet. Kjo duhet të vërtetohet nëse laboratorët punojnë me kujdes dhe me teknologji moderne. Duhet të hulumtohet se a ka qenë ai person i sëmurë mëherët apo jo”, ka thënë ai.

Ramadani ka thënë tutje se ekziston mundësia që personat që kanë qenë të infektuar të infektohen për herë të dytë me variantin e ri të koronavirusit.

“Që në muajin dhjetor është paraqit një variant i ri i koronavirusit dhe ky është zbuluar në Angli. Nga ajo kohë tani ky lloj variant i ri ka marrë përmasa botërore. Janë mbi 70 shtete që e kanë identifikuar edhe variantin e ri të COVID-19. Ndërsa, mundësia është që një person që e ka kaluar infektimin me koronavirus, të infektohet tani nga virusi i ri. Por duhet të vërtetohet nëse ka qenë nga virusi i mëhershëm ose tani nga variant i ri”, ka shtuar ai.

Derisa tashmë në botë kanë filluar të përhapen mutacione të reja të COVID-19, po shfaqen dyshime se riinfektimi i qytetarëve do të jetë edhe më i lehtë.

Eksperti kosovar i shëndetësisë në Gjermani, Halil Krasniqi ka thënë se mutacionet po sjellin shqetësime për shkak se efektiviteti i vaksinave COVID-19 kundër varianteve të reja është zvogëluar dhe riinfektimet janë shumë të mundshme.

Ai ka thënë se disa muaj më parë janë shfaqur 13 mijë variante të ndryshme të virusit dhe se që nga shfaqja e tyre vaksina të shumta janë duke u testuar.

Ndërsa, kujtojmë që tre raste pozitive me variantin e ri anglez të COVID-19 janë konfirmuar tashmë në Kosovë. Infektologët në vend thonë se numri i të infektuarve me këtë variant është shumë më i madh./Express/

RAPORTO