Në korrik priten ftesa të reja nga Gjykata Speciale

Muhamet Krasniqi, ish-luftëtar i UÇK-së, është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale me seli në Hagë, derisa në muajin tjetër (korrik) priten edhe dhjetëra ftesa të reja.

Kështu ka deklaruar kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së Hysni Gucati, i cili ka konfirmuar që gjatë ditës së hënë tre ish-pjesëtarë të UÇK-së kanë konfirmuar ftesën e tyre nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

“Ne si OVL kemi deklaruar me kohë që priten ftesa të reja në muajin qershor dhe në muajin korrik. Kanë filluar ftesat, por nuk e dimë saktësisht se sa ftesa kanë ardhur. Të hënën përveç Muhamet Krasniqit janë paraqitur edhe dy persona, të cilët kanë marrë ftesë nga Prokuroria e Specializuar dhe shumë shpejt do të bëhen publikë”, ka deklaruar ai, shkruan sot gazeta “Zëri”.

I pari i OVL-së po ashtu ka bërë të ditur që aktualisht mbi 60 persona janë ftuar nga Gjykata Speciale.

Në anën tjetër ish-pjesëtarë të UÇK-së shprehen pesimistë se Gjykata Speciale mund të sjellë drejtësi për luftën mes Kosovës dhe Serbisë, kjo sepse ajo është gjykatë e njëanshme dhe nuk i heton krimet e serbëve në Kosovë. Madje ata vlerësojnë që kjo gjykatë do të dështojë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.