08.11.2019, 10:57

Në cilat komuna dolën të parat partitë politike?

Dje Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) edhe zyrtarisht ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ku fituese e këtyre zgjedhjeve doli Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në krye me Albin Kurtin.

Lëvizja Vetëvendosje përveç se doli e para si partia më e votuar, kjo parti gjithashtu është e para edhe me numër të komunave të Kosovës, ku ka kryesuar me 10 të tilla.

Është bërë renditja e partive në bazë të komunave ku dolën ato të parat, e kjo renditje u bë nga Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (IDK).

Sipas kësaj renditje të IDK-së, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka 10 komuna të fituara, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka tetë komuna, Koalicioni 100% AAK-PSD ka pesë komuna, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka tri komuna, Koalicioni NISMA-AKR-PD ka dalë e para në vetëm një komunë, po ashtu Lista Serbe ka dhjetë komuna të fituara po aq sa ka partia e parë dhe Kosova Demokratik Turk Partisi me vetëm një komunë, njofton KlanKosova.

LEXO EDHE:  Edhe Xhavit Haliti ftohet nga Gjykata Speciale!

Kjo është renditja e subjekteve politike, sipas numrit të komunave në të cilat ato janë renditur të parat në këto zgjedhje parlamentare:

– LVV ka dalë e para në dhjetë komuna (Gjilan, Kaçanik, Kamenicë, Mitrovicë, Obiliq, Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Vushtrri dhe Hani i Elezit)

– LDK ka dalë e para në tetë komuna (Dragash, Istog, Fushë Kosovë, Lipjan, Pejë, Podujevë, Suharekë dhe Viti)

– Koalicioni AAK-PSD ka dalë subjekti i parë në pesë komuna (Deçan, Gjakovë, Klinë, Rahovec dhe Junik)

– PDK ka dalë e para në tri komuna (Drenas, Skenderaj dhe Shtime)

– Koalicioni NISMA-AKR-PD ka dalë e para në vetëm një komunë (Malishevë)

Në kuadër të komunave ku shumicë janë komunitetet pakicë:

– LS ka dalë e para në dhjetë komunat me shumicë serbe (Leposaviq, Novobërdë, Shtërpcë, Zubin Potok, Zveçan, Graçanicë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut)

– KDTP ka dalë e para në vetëm një komunë (Mamushë)

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.