Ndërprerjet e energjisë, flet ministri Lluka

16.12.2018

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdri Lluka, pas problemeve me energji elektrike në disa komuna të vendit, ka thënë se në Suharekë nuk pritet të ketë reduktime të mëtejme. Në një postim në Facebook, ministri Lluka ka bërë të ditur se në Suharekë investimi nga KOSTT është finalizuar. Ai ka shpjeguar mungesën e energjisë elektrike me […]

Ndërprerjet e energjisë, flet ministri Lluka Foto: Ilustrim

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdri Lluka, pas problemeve me energji elektrike në disa komuna të vendit, ka thënë se në Suharekë nuk pritet të ketë reduktime të mëtejme.

Në një postim në Facebook, ministri Lluka ka bërë të ditur se në Suharekë investimi nga KOSTT është finalizuar.

Ai ka shpjeguar mungesën e energjisë elektrike me investimet e parapara të KOSTT-it, të cilat kanë ngecur për shkak të mungesës së financave si rezultat i mos implementimit të marrëveshjes për energji nga ana e Serbisë.

” Të nderuar qytetarë të Fushë Kosovës dhe Therandës, Kam pranuar ankesa të shumta për mungesë të energjisë elektrike në këto dy komuna, dhe personalisht jam kujdesur që të shikojmë zgjidhjen e problemeve në mënyrë që qytetarët e këtyre dy komunave të kenë qasje në këtë shërbim bazik për nevojat e tyre.

Në këtë moment, duke ju falënderuar bashkëpunimit të institucioneve relevante, të dy komunat kanë energji elektrike. Përderisa për Suharekën investimi nga KOSTT është finalizuar dhe nuk pritet të ketë ndërprerje për shkak të mirëmbajtjes, në Fushë Kosovë situata mund të jetë më e ndërlikuar.

Situata qëndron kështu:

KOSTT është paraparë të investoi në Fushë Kosovë për të përballuar zgjerimin/ndërtimin e shpejtë që ka rritur kërkesën për energji elektrike më shumë se kudo tjetër në Kosovë, mirëpo një investim i tillë nuk është arritur të realizohet këtë vit për shkak të mungesës së financave si rezultat i mos implementimit të marrëveshjes për energji nga ana e Serbisë.

Nga ana tjetër, për shkak të mbingarkesës, trafot aktuale nuk kanë qenë të mjaftuara dhe si rezultat, ka pasur reduktime. Sidoqoftë, për të bërë zgjidhje të shpejtë, KEDS ka investuar në një trafo shtesë që bënë të mundur pjesërisht shpërndarjen e kësaj ngarkese e cila është në realizim e sipër.

Edhe pse për momentin e gjithë Fushë Kosova ka rrymë, kjo situatë është e pa parashikueshme, varësisht prej ngarkesave që mund të vijnë. Tani, në këto momente, drejtori i mirëmbajtjes po qëndron në Fushë Kosovë për të përcjellur situatën nga afër dhe për të siguruar furnizim të rregullt.Përndryshe, Suhareka ka energji elektrike dhe nuk pritet të ketë reduktime të mëtejme. Për çdo gjë, mbetëm afër jush për të ndihmuar në këto ditë të ftohta.”  ka shkruar Lluka.