09.10.2019, 9:11

Ndërkombëtarët kërkojnë formimin e qeverisë, PZAP i hodhi poshtë ankesat e subjekteve politike për rinumërim të votave

Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare të 6 tetorit nuk lanë të kënaqura të gjitha subjektet politike të cilat iu futën garës zgjedhore.

Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka bërë të ditur se deri më tani ka pranuar në total 23 ankesa.

PZAP-i ka hedhur poshtë ankesën e LDK-së, të PDK-së dhe të koalicionit Nisma – AKR – PD për rinumërim të votave. Ky vendim ka ardhur pak pas reagimeve të diplomatëve ndërkombëtarë në Kosovë, të cilët e kanë cilësuar të qartë rezultatin e publikuar tashmë nga KQZ-ja, shkruan sot gazeta Zëri.

Iniciativa e tri subjekteve politike, LDK-së, PDK-së dhe koalicionit Nisma – AKR – PD, për rinumërim të votave ka dështuar të jetësohet. Gjatë ditës së djeshme Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) i hodhi poshtë tri ankesat e këtyre subjekteve politike, të cilat pretendonin se një numër i votave të tyre është bartur te partitë e tjera. Vendimi i PZAP-it erdhi pak orë pas reagimit të disa shteteve të QUINT-it, të cilat thanë se rezultatet e dala nga zgjedhjet janë më se të qarta. Derisa LDK-ja, PDK-ka e Nisma – AKR – PD synuan që të çojnë deri te ndryshimi i rezultatit të publikuar nga KQZ-ja, diplomatët ndërkombëtarë në Kosovë bënë thirrje të respektohet vullneti i popullit dhe t’i nisin diskutimet për formimin sa më të shpejtë të qeverisë së re.

LEXO EDHE:  Mund të ketë sërish rinumërim të vendvotimeve nga zgjedhjet e 6 tetorit

Por pavarësisht faktit që LVV-ja, si partia e parë e dalë nga zgjedhjet, pati paralajmëruar takime me zyrtarët e LDK-së për të diskutuar për bashkëpunimin paszgjedhor, një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tash.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.