Ndalohen në Morinë dy shtetas të Kosovës, tentuan të kalojnë kufirin me 21 mijë franga të padeklaruara
Shërbimet e Policisë Kufitare të Shqipërisë, në Pikën Kufitare të Morinës, kanë parandaluar një përpjekje për futjen e paligjshme të një shume të konsiderueshme parash.
Si rezultat i kontrolleve të rrepta, janë proceduar penalisht dy shtetas kosovarë të cilët tentuan të kalonin kufirin pa deklaruar 21 000 franga zvicerane.
Ngjarja ka ndodhur në hyrje të Republikës së Shqipërisë, ku automjeti tip “BMW”, me drejtues shtetasin M. S., 34 vjeç, banues në Zvicër, dhe pasagjer shtetasin B. G., 33 vjeç, banues në Kosovë, është kaluar në vijën e dytë për kontroll të detajuar. Gjatë kontrollit, Policia Kufitare ka gjetur shumën prej 21 000 franga zvicerane, të cilat nuk ishin deklaruar sipas kërkesave të legjislacionit në fuqi.
Paratë janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet procedurale për këtë rast janë referuar në Prokurori. Ndaj dy shtetasve kosovarë ka nisur procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, e parashikuar nga legjislacioni penal shqiptar.
Materialet i janë dorëzuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, e cila do të vijojë veprimet e mëtejshme ligjore lidhur me këtë rast.