Nasim Haradinaj nesër në ora 15:00 del para gjykatës në Hagë

Të martën, më 29 shtator në orën 15, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë do të mbahet paraqitja e parë e Nasim Haradinajt.

Nasim HARADINAJ u arrestua më 25 shtator në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, të lëshuara nga një gjykatës i Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës, të parapara në Kodin Penal të Kosovës, sikurse përfshihen në nenin 15(2) të Ligjit nr. 05/L-53 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, thuhet në komunikatën e Prokurorit të Specializuar.

Paraqitja e parë e Nasim Haradinajt do të mbahet në seancë publike, e cila mund të përcillet përmes transmetimit në Internet, me një vonesë të shkurtër në https://www.scp-ks.org/sq/transmetim 

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.