Nagip Krasniqi deklarohet i pafajshëm lidhur me akuzën për korrupsion
Ish-kryeshefi ekzekutiv i Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi, është deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzën për “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Deklarimin rreth fajësisë, Krasniqi e bëri në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas leximit të aktakuzës nga prokurori special.
“Plotësisht i pafajshëm”, tha Krasniqi.
Ndryshe, seanca e paraparë për 19 shtator 2024 kishte dështuar, për shkak se mbrojtja nuk ishte pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.
Sipas aktakuzës, Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KEK-ut, “duke filluar nga 15 tetori 2021 e në vazhdimësi me qëllim që operatorit ekonomik “Holding Slovenske Elektrane” SE nga Sllovenia t’ia mundësojë tregtimin e energjisë elektrike në Republikën e Kosovës në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, me dashje aprovon blerjet, nënshkruan kontrata dhe autorizon nënshkrimin e tyre si dhe konfirmon vazhdimin e tregtimit me operatorin në fjalë, ani pse ishte në dijeni se nuk mund të tregtohej energji elektrike me këtë operator derisa ai nuk licencohej apo nuk i njihej licenca nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE).”