Naftëtarët paralajmërojnë mbyllje të pompave nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre

09.06.2022

Ndërhyrja e Qeverisë në tregun e derivateve ka nxitur naftëtarët të diskutojnë ndërmarrjen e masave ekstreme, duke përfshirë mundësinë e mbylljes së pikave të derivateve në të gjithë Kosovën. Në një deklarim për “Nacionalen” të enjten, kreu i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, tha se masa e mbylljes së pompave të derivateve do të vendoset nga […]

Naftëtarët paralajmërojnë mbyllje të pompave nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre

Ndërhyrja e Qeverisë në tregun e derivateve ka nxitur naftëtarët të diskutojnë ndërmarrjen e masave ekstreme, duke përfshirë mundësinë e mbylljes së pikave të derivateve në të gjithë Kosovën.

Në një deklarim për “Nacionalen” të enjten, kreu i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, tha se masa e mbylljes së pompave të derivateve do të vendoset nga përfaqësuesit e Shoqatës në mbledhjen e sotme.

“Mbyllja e pompave nuk varet nga unë. Në 09:30 do të flasim. Varet nga të gjithë. Unë i udhëheq politikat e Shoqatës së Naftëtarëve. Vendimin do ta marrin të gjitha kompanitë që do të jenë të pranishme. Sot do të vendosin çka do të bëjnë e si do të sillen. Por, unë mendoj që kryeministri Kurti nuk e merr një vendim që dëmton biznesin. Jam i bindur”, tha Berjani.

Ata kanë përmendur vendet e rajonit dhe të BE-së si shembull, të cilët kanë ulur akzicën për produktet e naftës. Gjithashtu ata kanë kërkuar që të vazhdohet me ekonominë e tregut të lirë, në pajtim, siç kanë thënë ata, me Kushtetutën e Kosovës.

“Nëse kërkesa nuk merret parasysh nga Qeveria atëherë kërkesat tona janë që minimalisht marzhat të caktohen si më poshtë, duke u bazuar në nivelet e çmimieve aktuale: Shitja me shumicë 3%; Shitja me pakicë 12%”, thuhet në letrën drejtuar Qeverisë.

Tutje, naftëtarët kanë thënë se janë të detyruar të mbrojnë ekzistencën e kompanive të tyre, siç janë shprehur ata, nëse nuk merren parasysh kërkesat drejtuar sot Qeverisë.

“Apelimi i vendimit të datës 1 mars 2022, për kompensimin e humbjeve të shkaktuara nga ky vendim; Apelim i vendimit të ri, nëse merret duke shpërfillur kërkesat tona; Mbyllja e pikave të derivateve në tërë territorin e Kosovës, deri në reflektim të Qeverisë, kjo me qëllim të shmangjes së falimentimit”, janë kërkesat e Shoqatës së Naftëtarëve.

“Industria e naftës për shkak të inflacionit të përgjithshëm vetëm se është duke u ballafaquar me rritje enorme të kostove qoftë të pagave, normave të interest, shpenzimeve të mirëmbajtjes etj. Kjo e kombinuar me kufizim të marzhës së fitimit do të ketë efekte shkatërruese për kompanitë e naftës”, thuhet në dokument.

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dje ka thënë se është duke punuar për vendimin e ri për rregullimin e çmimeve të naftës që do të “mbrojë konsumatorët dhe konkurrencën sipas ligjit”.

Portali Buletini Ekonomik, duke u bazuar në një draft të këtij vendimi, ka raportuar se ai parasheh kufizime në fitimet e naftëtarëve.

Së paku 2 deri 3 centë do të jetë fitimi për një litër naftë për shitësit me shumicë, ndërsa 6-10 centë do të jetë fitimi për litër për shitësit me pakicë.

Ndërsa 10 centë për litër do të jetë fitimi për shitje me pakicë për subjektet që nuk janë importuese.

Etiketat

Ofertat e fundit