Menjëherë pasi ka përfunduar i gjithë procesi i numërimit të votave, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa është deklaruar përsëri.

Mustafa përsëri ka refuzuar ta njohë Vetëvendosjen si fituese të zgjedhjeve parlamentare, i cili tha se rezultati nuk dihet ende pasi që të përfundojë numërimi i plotë i krejt votave atëherë dihet kush është fituesi i zgjedhjeve.

Mustafa ka paralajmëruar se, bashkë me kandidaten e LDK’së për kryeministre, do të takohet me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

“Qytetarë të nderuar Në zgjedhjet e 6 tetorit LDK mori përkrahje të gjerë nga qytetarët tanë. Qytetarët ndëshkuan ata që qeverisën keq”, ka shkruar Isa Mustafa në Facebook.

Po ashtu ai ka thënë se: “Në një garë tepër të ngushtë, 50:50, fituesi, LDK apo VV, do të dihet përfundimisht pasi të përfundon numërimi i plotë i të gjitha votave”.

“Këto ditë, së bashku me kandidaten tonë për kryeministre, znj. Vjosa Osmani, do të takohemi me Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, z. Kurti për të vlerësuar procesin zgjedhor dhe mundësitë e bashkëqeverisjes”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Në fund ai tha se: “Do të vazhdojmë aty ku e kemi lënë para fillimit të procesit zgjedhor, duke respektuar vullnetin e qytetarëve të shprehur me votë të lirë në një proces demokratik zgjedhor por edhe interesin e LDK-së”.