Lajme

Mustafa ia “preu” duke thënë vetëm edhe një takim, VV thotë se duhet edhe një takim përafrues

Foto: Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Mbrëmjen e së martës Lëvizja Vetëvendosje i ka dërguar ofertën e saj me shkrim Lidhjes Demokratike të Kosovës, në të cilën ka hedhur si opsion rritjen e numrit të ministrive nga 12 në 14, në mënyrë që partia e Isa Mustafës të marrë 6 ministri.

Por, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk e ka parë si zgjidhje ofertën e partisë së Albin Kurtit, ndërsa si përgjigje i ka dërguar LVV-së një kundër-ofertë.

LDK-ja i ka propozuar LVV-së ndër të tjerash që posti i kryeparlamentarit t’i takojë kësaj partie, deri në zgjedhjen e presidentit, ndërsa më pas sërish posti i kryetarit të Kuvendit t’i kthehet LVV-së.

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa, të mekurën paralajmëroi një takim të fundit me  liderin e LVV-së Albin Kurtin, si vendimtar për arritjen ose jo të marrëveshjes për bashkëqeverisje.

Këto zhvillime duket se kanë larguar edhe më shumë partnerët e mundshëm të koalicionit, pasiqë me deklaratat publike, të dy palët janë shprehur se ofertat e njëra-tjetrës janë të papranueshme.

Tani, i bie që është radha e Lëvizjes Vetëvendosje që të ftojë takimin e radhës, meqë e fundit që e ka dorëzuar propozimin është LDK-ja.

I kontaktuar nga Periskopi, deputeti i LVV-së njëherësh i  propozuari i Kurtit për zëvendëskryeministër të Kosovës Haki Abazi ka thënë se nuk e di se kur do të ketë takim mes LVV-së e LDK-së.

Por, Abazi nuk pajtohet me kreun e LDK-së Isa Mustafa që takimi i radhës të jetë edhe i fundit në mes dy krerëve të të dy partive.

Abazi mendon se do të ishte i nevojshëm një takim i radhës që do të përafronte qëndrimet për formimin e koalicionit.

“Nuk e di a ka me pasë takim, prej diskutimeve ka qenë e qartë që LVV-ja ka thirrë për takim, për mi përafru të dy pozicionet sepse edhe oferta e LVV-së edhe oferta e LDK-së janë prezantuar në takimin e fundit. Unë e shoh si të domosdoshme takimin e radhës për t’i parë këto dy oferta në tavolinë dhe për të përafru qëndrimet”, tha Abazi për Periskopin.