Zëdhënësi i LDK-së Mustafa: Ende ka vullnet për marrëveshje me Vetëvendosjen

Foto: Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Kanë kaluar më shumë së 100 ditë që nga zgjedhjet e 6 tetorit, mirëpo Kosova ende nuk ka qeveri të re, e cila do të udhëhiqte vendin.

Kjo për shkak që marrëveshja ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës nuk po mund të arrihet.

Së fundi situata është bllokuar krejtësisht, dhe ndërmjet këtyre dy partive kanë filluar edhe të ftohen raportet.

Por në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë thënë për Gazetën inFokus se ende ekziston vullneti për ta arritur një marrëveshje për kolacion.

Zëdhënësi i LDK’së, Besian Mustafa, ka thënë se janë duke u përpjekur të arrihet një marrëveshje.

“Unë e kisha cilësuar që jemi ende duke bërë përpjekje për ta arritur marrëveshje për bashkë qeverisje, ekziston ende vullneti në mes të dy partive për të arritur një bashkë qeverisje”, ka thënë Mustafa për Gazetën inFokus.

Mirëpo sipas tij ende nuk dihet se kur do të mbahet ndonjë takim i radhës ndërmjet VV’së e LDK’së.

“Nuk e di se kur do të ketë takim, në momentin që do të më njofton kryetari Mustafa që ka caktuar takim atëherë ju njoftoj edhe unë juve”, ka thënë mes tjerash ai.

Të enjten Vetëvendosje përmes një letre ka refuzuar propozimin e LDK-së që t’ia kthejnë kryeparlamentarin deri në zgjedhjen e presidentit nga LDK-ja dhe ndarjen e ministrive 5 me 5.

Më pas kreu i LDK-së Isa Mustafa, në një konferencë shtypi, ka deklaruar se këtë letër nuk e konsideron zyrtare.

Nga ana tjetër Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka paralajmëruar lëvizje në rast se situata vazhdon të mbetet e bllokuar, derisa nga VV-ja kanë thënë se do ta dërgojnë emrin e mandatarit pa vonesa.