Mustafa: Aktualisht Kosova e ka Presidentin, do ta trajtojmë çështjen e tij kur të imponohet situata!

16.08.2020

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka diskutuar kandidatin për President të vendit, as brenda partisë e as me partitë e koalicionit. Kreu i partisë, Isa Mustafa, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se në momentin që imponohet situata kushtetuese për zgjedhje të Presidentit, kjo do të trajtohet në mënyrë komplekse. Ai thotë […]

Mustafa: Aktualisht Kosova e ka Presidentin, do ta trajtojmë çështjen e tij kur të imponohet situata! Foto: Ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e ka diskutuar kandidatin për President të vendit, as brenda partisë e as me partitë e koalicionit.

Kreu i partisë, Isa Mustafa, në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se në momentin që imponohet situata kushtetuese për zgjedhje të Presidentit, kjo do të trajtohet në mënyrë komplekse.

Ai thotë se LDK nuk do të bëjë asnjë veprim që mendon se nuk është i mirë për vendin, për të evituar zgjedhjet. 

Çështja e zgjedhjes së Presidentit të vendit, është kthyer përsëri në temë diskutimi.

Kjo për shkak të publikimit të propozim aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj Presidentit aktual të vendit, Hashim Thaçi.

Megjithatë, i pari i LDK-së, Isa Mustafa, po thotë se kandidati për President nuk është diskutuar as me partitë e koalicionit e as me ato të opozitës.

“Në LDK nuk është biseduar për kandidatin për President të Kosovës. Nuk e kemi biseduar as me partitë e koalicionit qeverisës e as me ato të opozitës”, ka thënë Mustafa.

“Aktualisht Kosova e ka Presidentin me mandat kushtetues deri në prill të vitit të ardhshëm. Në momentin që imponohet situata kushtetuese për zgjedhje të Presidentit, kjo çështje do të trajtohet në mënyrë komplekse, sepse është komplekse”, ka deklaruar Mustafa.